Kulturë

“Manifesta” në pritje të garancisë shtetërore për t’u mbajtur në Prishtinë

Prishtina mund të jetë qyteti i dytë i Ballkanit pas Lubjanës, që më 2022 do të bëhet nikoqir i njërës prej ngjarjeve kulturore më me nam në botë.

“Manifesta”, bienalja nomade evropiane, ka përzgjedhur kryeqytetin kosovar për edicionin e saj të 14-të, shkruan sot “Koha Ditore”. Përderisa në vitin 2018 është mbajtur në Palermo të Italisë, e më 2020 do të mbahet në Marseille të Francës, ngjarja që zë fill këtu e 26 vjet më parë, ia ka mësyrë Prishtinës.

Por përzgjedhja e Prishtinës që, midis të tjerash ishte në listën e ngushte me Vjenën e Kievin, tashmë varet nëse Kosova do t’i plotësojë kushtet. Bëhet fjalë për një marrëveshje që “Manifesta” duhet ta nënshkruajë me Komunën e Prishtinës. Para kësaj, shteti duhet të japë një garanci financiare për shumën prej 4.6 milionë eurosh.

Yll Rugova, në cilësinë e drejtorit për Kulturë në Komunën e Prishtinës, kishte aplikuar që “Manifesta” të mbahej në kryeqytet. Por Rugova i cili prej dhjetorit të vitit të kaluar më nuk mban pozitën e drejtorit, nuk i është ndarë nismës së tij. E ka fituar betejën e konkurrencës me metropolet evropiane.

Këtë e ka bërë publike të enjten në Kohavision. Tashmë Rugova është duke pritur reagimin e institucioneve shtetërore.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)