“Zonja misterioze”, libër për gratë e dhunuara në luftë

“Zonja misterioze”, libër për gratë e dhunuara në luftë

17 April 2019 13:16

Është promovuar sot romani “Zonja misterioze” i autores nga Tirana, Lola Shehi - Çela, që për temë ka dhunimin e grave në Kosovë gjatë luftës, që po vlerësohet se duhet të përkthehet në mënyrë që gjithandej në botë të mësohet për gruan shqiptare në Kosovë.

Me këtë rast, këshilltarja e kryeministrit të Kosovës, Albena Reshitaj, përgëzoi autoren e këtij libri, teksa foli edhe për mbështetjen që Qeveria u ka dhënë viktimave të luftës, me njohjen e statusit të tyre.

Sipas saj, nëse plagët e luftës nuk shërohen dhe derisa faji të bartet herë në njërën anë e herë në tjetrën, asnjëherë nuk do të arrihet paqja në Ballkan.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, u shpreh se kuptimi i simbolit të sakrificës së gruas, më së miri zë vend në Kosovë, pasi këtu gratë përjetuan dhunë seksuale gjatë luftës.

“Edhe pas kaq shumë vjet pas luftës, gratë ende vuajnë. Kryerësit e krimeve ende mbeten të pandëshkuar dhe drejtësia mbetet e mohuar. Dhuna seksuale ndaj grave nuk është vetëm e tyre, është plaga jonë e përbashkët”, u shpreh ai.

Flora Brovina, recensente e librit, foli për vështirësitë e grave të dhunuara gjatë luftës. Ajo prezantoi një fotografi të një fëmije të dhunuar, teksa tha se krejt kjo që ka ngjarë në Kosovë është një histori e trishtë dhe një dëshmi edhe për Gjykatën e Hagës.

“E shihni në telefonin tim, një fotografi, është një fëmijë 7 vjeçar, ai nuk flet. Gratë kanë folur, por nuk janë dëgjuar. Punoj qe 20 vjet me gra të dhunuara. S'ka diçka më të vështirë, sepse përjetimet e tyre janë jashtëzakonisht të vështira. E vërteta ka dal, por jo përmes neve por përmes shkrimtarit suedez, por ai informatat i ka marrë nga ne. Unë jam e gjallë dhe dëshmoj, se Marta është e para që ka folur në gjyq, por kryerësi është dënuar me vetëm dy vite burg dhe është liruar shumë shpejt. Marta ka ndërruar jetë. Edhe EULEX-i ka heshtur, edhe prokuroria jonë. Ka mijëra gra të dhunuara. Nuk është e lehtë të shkosh të marrësh çekun me para sepse je dhunuar. Këto gra kanë probleme të të folurit, kanë probleme të familjes. Problemet e familjes nuk mund t'i merrni me mend sepse ka raste kur janë dëbuar nga shtëpia. Ka pasur raste kur ato gra nuk janë pranuar as në punë sepse kanë qenë të dhunuara”, tha Brovina.

Ndërsa sa i përket librit të botuar sot që për tematikë ka dhunimin e femrave në Kosovë, Brovina tha se gjuha e pasur plot përshkrime e detaje, përcjellja e traumës dhe përditshmërisë, e bën romanin tejet interesant, pa marrë parasysh temën e rëndë që trajton.

Ndërsa vet autorja e librit, Lola Shehi-Çela, falënderoi të gjithë ata që e ndihmuan drejt botimit të këtij romani. “Këtu folëm vetëm për gratë, ndërsa ka pasur edhe djem të Kosovës që kanë vuajtur po aq. Për historinë e një djali që i kanë dhunuar të dashurën kam shkruar një poezi, pasi ai nuk ka gjetur as varrin e saj”, u shpreh ajo.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme