Vdiq Bibi Andersson, ylli i filmave të Bergmanit

Vdiq Bibi Andersson, ylli i filmave të Bergmanit

16 April 2019 08:42

Stokholm, 16 prill – Bibi Andersson, aktorja suedeze që ka luajtur në disa filma të Ingmar Bergmanit, ka vdekur në moshën 83-vjeçare. Regjisorja Christina Olofson, mike e kamotshme e Anderssonit, për mediat suedeze ka konfirmuar vdekjen e saj të dielën.

Andersson nisi aktrimin si adoleshente dhe kishte karrierë të gjerë në film, televizion e teatër, por ishte më së shumti e njohur për punën e saj me Bergmanin. Ai e zbuloi talentin e saj teksa po e bënte xhirimin e një reklame për sapunin “Bris” në vitin 1951 dhe katër vjet më vonë e mori në një skenë të vetme në filmin “Smiles of a Summer Night”. Andersson do të paraqitej në 13 filma të Bergmanit prej viteve ‘50 e deri në vitet’80.

Fillimisht, Bergman e shfrytëzoi aktoren e shkëlqyeshme bionde për të përfaqësuar pafajësinë vajzërore dhe pastërtinë e vajzës. Dielli shkëlqente sa herë që ajo paraqitej si grua dhe nënë në “The Sevent Seal” të 1957-s.

Në “Wild Strawberries” të po atij viti, Andersson dukej më ndryshe, si një vajzë bionde që mblidhte manaferra në pyll. Bergman, gjithsesi, pa më shumë në të. Në të njëjtin film, ajo u paraqit edhe si një vajzë me flokë të shkurtër si imazh i një gruaje udhëtare e që tymoste cigare, shkruan sot Koha Ditore.

Andersson mbajti flokët e shkurtër dhe bëri emër ndërkombëtar, me rolin si infermierja Alma në “Persona” të vitit 1966. Performanca e saj krahas pacientes Elisabet, që luhej nga Liv Ullman, ia solli Andersonit çmimin e parë “Guldbagge Award”, nga katër gjithsej, e që është ekuivalent i Suedisë për “Oscar”, dhe ia solli vëmendjen hollywoodiane.

Ajo u paraqit më pas krahas James Garnerit dhe Sidney Poitierit në “Duel at Diablo” të vitit 1966. Pati rolin e një psikiatreje të butë në “I Never Promised You a Rose Garden” në vitin 1977 dhe rolin e gruas së Steve McQueen në “An Enemy of the People” të vitit 1978.

Anderson u paraqit në “The Kremlin Letter” të John Hustonit më 1970 dhe në “Quintetin” e Robert Altmanit nëntë vjet më vonë. Ajo luajti rolin e nënës së Richard Chamberlanit (edhe pse një vit më e re se Chamberlain) në “Wallenberg: A Hero’s Story”, mini-seritë e vitit 1985, për diplomatin suedez që shpëtoi mijëra çifutë nga nazistët.

Andersson kaloi shumicën e karrierës në Evropë, ku edhe u nderua më së shumti për punën e saj. Ajo u nderua si aktorja më e mirë në Festivalin e Filmit në Cannës, në vitin 1958 për rolin në “Bring of Life”, duke e ndarë çmimin me tri aktore të tjera dhe çmimin për aktoren më të mirë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Berlin më 1963 për rolin në “The Mistress”.

Asnjëri nga këta filma, megjithatë, nuk e kishte për regjisor Bergmanin. Në SHBA, dy çmimet që kishte marrë nga Shoqata Kombëtare e Kritikëve të Filmit ishin nga filmat e Bergmanit. U vlerësua si aktorja më e mirë për rolin në “Personal” dhe aktorja më e mirë në rol dytësor për “Scenes From a Marriage”.

Më vonë, Andersson u paraqit në disa role televizive në Evropë, përfshirë dramën “Arn”, një mini-serial i vitit 2010.

Karriera e saj tridekadëshe në skenë përfshiu punën me Teatrin Mbretëror të Dramës në Stokholm, rolet në klasikët e Shakespeareit, Molierit e Chekhovit, dhe dy paraqitje në Broadway, në “Full Circle” më 1973 dhe “The Night of the Tribades” katër vjet më pas.

Andersson punoi edhe si regjisore e teatrit në Suedi. Gjatë luftës në Jugosllavi, ajo punoi në disa iniciativa për të sjellë teatrin dhe format e tjera kulturore në rajonet e goditura nga lufta. Është i njohur projekti i saj “Sarajevo Open Road”, që çonte art nëpër qytetet e prekura nga lufta. Edhe vetë ajo luajti në skenën sarajevase.

Në vitet e ‘50, Andersson ishte në lidhje romantike me Bergmanin. Por ajo u martua me tre burra të tjerë, regjisorin dhe skenaristin Kjell Grede nga viti 1960 e deri më 1973, politikanin Per Ahlmark (1979-1981) dhe më 2013 me doktorin kilian, Gabriel Mora Baeza/ Hollywood Reporter.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme