Kulturë

“My Detective” për arkitekten vrasëse të Los Angelesit

Jeffrey Fleishman ka karrierë të gjatë rrëfimtari. Më 1997, kur ishte gazetar i “Inquirerit” në Philadelphia, Bordi i çmimeve “Pulitzer” e zgjodhi si finalist në kategorinë e rrëfimeve, duke e cituar shkrimin e tij përplot gjallëri rreth rrugëtimit të një grupi murgjish e murgeshash budiste nga Tibeti, në ikje nga ushtarët kinezë (Fleishman ka udhëtuar bashkë me ta përgjatë Himalajeve). 

Ai është gazetar i kahershëm i “Los Angeles Times”, ku për shumë vjet ka qenë i angazhuar si korrespondent i jashtëm, duke shërbyer si shef i zyrës në Kajro dhe në Berlin, para se të vendoset në Los Angeles më 2014, për të mbuluar fushat e filmit, artit dhe kulturës, shkruan sot Koha Ditore.

Ai e botoi novelën e tij të parë “Promised Virgins: A Novel of Jihad” më 2009. “Libri bazohet goxha shumë në përvojat e mia si korrespondent lufte në Kosovë dhe ishte pak a shumë si një rrëfim autobiografik”, ka thënë ai. Por kur nisi punën në gazetari, fiksioni përherë ka qenë tërthorazi në mendjen e tij. 

“Përherë kam dashur të jem shkrimtar dhe përherë kam dashur të jem korrespondent. Njëra prej këtyre më ndodhi më përpara dhe përvoja e të qenit jashtë dhe e mbulimit të luftës e mbolli farën e librit tim të parë”. “Gjëja që më ndihmoi ishte akumulimi i hollësive”, ka thënë ai. 

“Me mijëra gazetarë mund të shkojnë në një ngjarje, por ju e sillni me vete vetën në këtë ngjarje”. Ama Fleishmanit iu desh t’i linte mënjanë disa shprehi të vjetra për ta gjetur rrugën e tij drejt zejes së shkrimtarit.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)