Bllokohet teatri i Prizrenit, aktorët marrin premtime të reja për paga retroaktive

Kreshnik Bekteshi 12 April 2019 20:33

Ka më shumë se 100 ditë qëkur dhjetë aktorët e teatrit “Bekim Fehmiu” të Prizrenit, nuk kanë marrë paga.

Që nga janari i këtij viti, të gjitha aktivitetet teatrore janë bllokuar në këtë institucion, raporton KTV.

Aktorët e teatrit të Prizrenit paguhen nga zbatimi i projektit kapital “Realizimi i politikave zhvillimore për kulturë”, ndërkohë krerët e këtij institucioni kulturor kanë kërkuar llogari nga ana e Komunës.

e Komunës së Prizrenit, këtë të mërkurë, kanë zhvilluar një takim me drejtuesit e teatrit “Bekim Fehmiu”, e ndërkohë, aty ka ardhur një premtim i radhës se pagat do t’i marrin në mënyrë retroaktive nga fundi i muajit prill.

Kohavisioni ka provuar ta marrë një prononcim nga Ehat Oreshka, drejtor i Kulturës në Komunën e Prizrenit, në lidhje me mospagesën e aktorëve, mirëpo ai nuk ka dashur të deklarohet, duke thënë se për këtë çështje vetëm drejtori i teatrit, Fetah Paçarizi, duhet të japë shpjegime.

Disa prej aktorëve të trupës rezidente të teatrit të Prizrenit kanë reaguar për gjendjen aktuale financiare, duke thënë se teatri i tyre është futur në krizën më të thellë institucionale, që prej themelimit të tij.

Nga ana tjetër, aktori Ernest Malazogu, thotë se kjo nuk është hera e parë që teatri i Prizrenit hyn në një krizë të tillë, teksa shton se nuk mund të ketë kurrfarë arsye nga ana e Komunës në lidhje me vonesat e pagave.

Aktorët rezidentë të teatrit “Bekim Fehmiu” në Prizren, kanë bërë të ditur se nuk do ta nisin asnjë projekt teatror, derisa të realizohet ekzekutimi i tri pagave.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme