Kulturë

Kuvendi i Troshanit, ku u shkollua e shërbeu Fishta, bëhet monument kulture

Së shpejti Kuvendi i Troshanit, ku u shkollua dhe më vonë shërbeu At Gjergj Fishta, do të marrë statusin e monumentit të kulturës.

Lajmi bëhet i ditur nga ministrja e Kulturës të Shqipërisë, Mirela Kumbaro.

Nëpërmjet një statusi në facebook, siç transmeton atsh, Kumbaro thotë se merita është e Dom-Nike Ukgjini falë bashkëpunimit me të cilin morëm rrugën drejt Fishtës, pikërisht aty ku lindur një nga shkrimtarët e mëdhenj të gjysmës së parë të shekullit XX shqiptar, pikërisht aty ku shtëpia e lindjes nuk ekziston më dhe ku Kisha ka ngritur një memorial të thjeshtë deri në madhështi.

kuvendi i Troshanit ndodhet jo larg fshatit Fishtë, aty ku etërit françeskanë në vitin 1639 erdhën në shkrepat e këtij fshati të Zadrimës duke ngritur një Kishë dhe një shtëpi të të varfërve.

Më vonë, etërit françeskanë ishin ulur në vendin e tanishëm, ku me ndihmën e Austro-Hungarisë ndërtuan Kishën dhe Kuvendin në vitin 1857. Në vitin 1880, u dha leja e hapjes së kolegjit (shkollës) në ketë Kuvend që u inaugurua më 14 prill 1882. nga misionarët: At Mariano Pizzochini prej Palmanova, (Udine) dhe At Gian Pierro Ferrari, prej Bergamo.

Sot Kuvendi i Troshanit si një vend historik në vete, është i restauruar dhe i sistemuar me shumë kujdes nga Provinca françeskane shqiptare. Ka ambiente të brendshme të bollshme dhe shumë të përshtatshme për krijimin e një muzeu përkujtimor për të gjitha këto koka të ndritura françeskane shqiptare.

Kuvendi për rreth e qark ka një hapësirë magjepse dhe atraktive rrëzë vargmaleve të Troshanit.

Ka një infrastrukturë të re e solide. Në këtë hapësirë, thënë ndryshe, mund të zhvillohej lirshëm një turizëm i suksesshëm kulturor vendas dhe i huaj.

“Unë jam shumë dakord me Dom Nikën që Kuvendi i Troshanit është vendi ideal për të nderuar jo vetëm Gjergj Fishtën, atje ku ai jetoi, u shkollua dhe shërbeu, por për përjetësuar nderimin për të gjitha këto mendje të ndritura jo vetëm për katolicizmin shqiptar por edhe për kulturën dhe letrat shqipe. Me këtë rast do shmanget kakofonia e padija e krijuar në mënyrë artificiale dhe amatore , ndërsa ne si autoritete kulturore do ndjehemi më kryelartë përballë detyrimit të pashlyeshëm për nderimin e figurave të Kombit, sepse krahas “Qendrës Muzeale Ndre Mjeda” (vepër e pasionit të Dom-Nike Ukgjinit) do t’i shtohej kulturës shqiptare edhe një Qendër e rëndësishme me figura të merituara nga bota françeskane”, shprehet Kumbaro.

{gallery}