Kulturë

“Bryma e vdekjes” midis eksodit e shpresës për mbijetesë

Skenografia e pambuluar me perdet e skenës është treguesi i parë se bëhet fjalë për një hapësirë refugjatësh. E ndezja e dritave nga kullat vrojtuese, të cilat depërtojnë edhe në publik, janë sinjali i futjes së refugjatëve në skenë, shkruan sot Koha Ditore.

Gra, burra, fëmijë e pleq janë një varg që mësyjnë të zënë vend në hapësirat e mbuluara me najlon. Është një skenë masive ku zënë vend ata që janë përzënë nga shtëpitë e tyre. Shpejt merret vesh se bëhet fjalë për Bllacën. Janë familje të tëra që janë deportuar në këtë hapësirë pa kushte minimale të jetës. Midis të ftohtit, llaçit e urisë nisin të dalin në pah edhe probleme të tjera.

Një familje e përbërë nga katër anëtarë zë vend në qendër të hapësirës. Problemi i prindërve me të birin e tyre shndërrohet në hall për krejt kampin. I riu që portretizohet nga Valmir Krasniqi, për të pranishmit nuk është normal. Por ai është i bindur se mendimet e tij janë të sakta. U flet të tjerëve se si nuk është dashur të iknin, por ta mbronin vendin e tyre. Thotë se në raste të tilla mungon një prijës i cili do të udhëhiqte popullin e vet. Çështjen e prijësit e lidh edhe me figurën fetare të Musait, i cili e udhëhiqte popullin kundër faraonit të Egjiptit. Britmat e tij shndërrohen në dajak për ata që janë afër. Forcat maqedonase që patrullojnë në kampin e refugjatëve nuk i kursejnë shkopinjtë për të goditur refugjatët.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)