“Baresha” në tingujt e kitarës elektrike

08 April 2019 23:52

Muzikë klasike, muzikë e vjetër shqiptare, pop e rock... tingujt e çdo zhanri dalin nga telat e kitarës elektrike të Pëllumb Qerimit.

Me shumë ritëm e gjallëri, ai sjell versionet e veçanta të këngëve më të njohura shqiptare e botërore.

Të interpretuara me kitarë elektrike, në kanalin e tij ndodhen ripërpunime të këngëve të ndryshme: nga “Baresha” e Nexhmije Pagarushës, që mori zemrat e publikut shqiptar, deri te “Hotter than Hell” që mbërriti edhe në veshët e Dua Lipës. Me versionin e tij të këngës “Hotter than Hell”, ai arriti të fitojë edhe vëmendjen e fitueses së dy çmimeve Grammy, raporton KTV.

Veprimtaria e deritanishme nuk përfundon vetëm me ripërpunimet e postuara në kanalin e tij në “YouTube”. Pëllumbi tashmë numëron disa triumfe nëpër gara të ndryshme. Një ndër kryesoret është “JR Solo Contest”, ku ndër 500 garues nga e gjithë bota, i riu nga Kërçova doli i pari.

Talenti i shpërfaqur në zhanre të ndryshme muzikore e bën atë të dallohet si kitarist në një kohë kur muzika komerciale ka pushtuar tregun muzikor.

Çdo ripërpunim i muzikantit numëron mijëra klikime e pëlqime nëpër rrjetet sociale, por një ndër prurjet e tij më të veçanta deri tani është “Baresha” e Nexhmije Pagarushës.

Ai shpejt do t’i sjellë edhe versionet e shumë këngëve të vjetra shqipe, me kitarë elektrike. Përveç videove dhe ripërpunimeve, ai tregon se edhe interpretimet me bende janë pjesë e punës.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme