“Chopin Piano Festi” jubilar me emra të njohur në maratonë koncertesh

“Chopin Piano Festi” jubilar me emra të njohur në maratonë koncertesh

Fjolla Hajrizaj 08 April 2019 11:31

Festivali që në qendër ka pianon, sonte (e hënë) nis edicionin jubilar, të dhjetin me radhë, për të sjellë univers të gjerë të tingujve me 16 mbrëmje muzikore dhe aktivitete të tjera shtesë.

Sivjet “Chopin Piano Fest” vjen edhe si një manifestim i merituar për krijimin e një tradite, tashmë të qëndrueshme muzikore, shkruan sot “Koha Ditore”. Duke filluar nga edicioni i parë e deri më tash muzikantë nga 27 shtete kanë qenë pjesë e tij, përfshirë edhe asi nga shtetet që s’e njohin pavarësinë e Kosovës. Në ketë kontekst ka shërbyer edhe si platformë e diplomacisë kulturore.

Kulti për pianon dhe Frédéric Chopinin, kompozitorin e mirënjohur polak të epokës së romantizmit, në Kosovë sivjet sjell muzikantë të dëshmuar në skenat e Italisë, Francës, Norvegjisë, Rusisë, Shqipërisë, Hungarisë, Britanisë së Madhe e Kroacisë.

Mbrëmjen e hap pianisti i mirënjohur italian Giovanni Bellucci, që vjet e kishte përmbyllur me vepra të Bethoveenit dhe të Schubertit. Si Bellucci që ka ardhur prapë për të qenë pjesë e festivalit “Chopin Piano Fest”, ka edhe të tjerë emra të njohur si Hakon Austro, doajen i pianizmit në Norvegji, Stefan Vladar nga Austria që vitin e kaluar kishte performuar një duo pianistike me të shoqen, e emra të tjerë.

Ndër pikat e veçanta që ka theksuar drejtoresha organizative e këtij festivali, Besa Luzha, është përmbledhja e veprave të Chopinit, kryesisht miniatura, prej konkurseve të edicioneve të para, të dyta dhe të treta që edhe janë shpërblyer me çmime. Aktivitetet e tjera përveç 16 koncerteve do të përfshijnë koncerte të studentëve, nxënësve të shkollave të mesme dhe të mesme të ulëta. Ndër emrat që do performojnë, Luzha ka përmendur Fatjona Maliqin e cila vjen në bashkëpunim me profesorin e saj Herbert Groeger, që e ka hapur edicionin e parë të “Chopin…”.

Nga ana tjetër, nxënësit e studentët do të mundë të përsosin shkathtësitë e tyre në piano falë masterklaseve me muzikantët botërorë që qëndrojnë më gjatë në Kosovë.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme