Kulturë

Shqipëria e Maqedonia e Veriut zyrtarizojnë bashkëpunim kulturor

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut angazhohen të intensifikojnë marrëdhëniet kulturore mes dy vendeve dhe të promovojnë vlerat në fushën e artit dhe shkencës. Kjo tashmë është konkretizuar edhe me marrëveshje zyrtare.

Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, zhvilloi një takim me ministrin e Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Nikola Dimitrov, në ambientet e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Washington.

“Në këtë takim u diskutua mbi përpjekjet e bëra me vendet e Bashkimit Evropian për hapjen e negociatave, si dhe për bashkëpunimin mes dy vendeve tona në fusha me interes të përbashkët dhe të ndërsjellë”, raportojnë mediat shqiptare.

Në përfundim të takimit, ministri në detyrë Cakaj dhe homologu i tij Dimitrov me dëshirën për të dhënë kontribut në avancimin e marrëdhënieve kulturore dypalëshe, nënshkruan marrëveshjen ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për themelimin e qendrave kulturore dhe informative në Republikën e Shqipërisë dhe qendrave kulturore dhe informative në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

“Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut angazhohen të intensifikojnë marrëdhëniet kulturore mes dy vendeve tona e të promovojnë vlerat më të mira respektive në fushën e artit dhe shkencës, si dhe të përgatisin e shpërndajnë buletine informative për ngjarjet e organizuara nga qendrat kulturore dhe informative, duke përfshirë përdorimin e teknologjive bashkëkohore të komunikimit”, shkruhet aty.

Hapja e qendrave kulturore në Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut qe paralajmëruar qysh më 13 mars, me rastin e vizitës në Tiranë të kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev. Atë ditë Qeveria e Shqipërisë kishte miratuar marrëveshjen me Qeverinë maqedonase për themelimin e qendrave kulturore dhe informative në të dyja vendet. Vendimi ishte miratuar në parim në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, pas takimit të përbashkët të homologëve Edi Rama e Zoran Zaev. Por shteti maqedonas këtë vendim e ka marrë qysh në prill të vitit të kaluar. Zëdhënësi i Qeverisë maqedonase, Muhamet Hoxha, në një konferencë për media, asokohe kishte thënë se promovimi dhe afirmimi i kulturës në vend dhe jashtë saj paraqesin prioritet për Qeverinë dhe Ministrinë e Kulturës.

Në anën tjetër, Kosova dhe Shqipëria qysh prej fillimit të viti 2014 kanë kalendarë të përbashkët kulturorë. Ata nënshkruhen nga dy ministrat e Kulturës. Por asnjëherë këta kalendarë nuk janë respektuar në tërësi. Gjithmonë problem ka qenë buxheti.

Nënshkrimi i kalendarit kulturor midis Kosovës e Shqipërisë për këtë vit qe paralajmëruar për muajin e kaluar, në takimin midis ministrit të Kulturës, Kujtim Gashi, dhe homologes së tij nga Shqipëria, Elva Margariti. Por një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.

Vitin e kaluar në gusht, ministri aktual i Kulturës në Maqedoninë e Veriut, Asaf Ademi, kishte vizituar ministrin e Kulturës, Kujtim Gashi. Që të dy në një konferencë për media kishin thënë se janë marrë vesh që Kosova e Maqedonia të kenë kalendar të përbashkët kulturor. Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, në dy raste i ka thënë gazetës së MKRS-ja është e gatshme që të nënshkruhet kalendari, por, sipas tij, arsyet e moskryerjes së kësaj procedure duhet kërkuar në Maqedoni.