Kulturë

“Studime Orientale” vjen në pesë gjuhë

Prishtinë, 2 prill – Numri i katërt i revistës “Studime Orientale” vjen në pesë gjuhë. E nxjerrë nga Instituti për Studime Orientale në Prishtinë, në këtë numër revista është botuar në një formë e përmbajtje më ndryshe në krahasim me numrat e kaluar. Tekstet e revistës nga e majta janë në shqip, anglisht e turqisht, kurse nga e djathta arabisht e persisht.

Siç shkruhet në një njoftim, sipas kryeredaktorit Muhamed Mufaku, ky ndryshim është derivat i ndryshimeve institucionale. Ai ka sqaruar se pas formimit të Degës së Orientalistikës më 1973, më pas u formua Shoqata e Orientalistëve të Kosovës më 2006, e cila filloi të botojë revistën “Studime Orientale” në gjuhën shqipe. Mufaku ka thënë se me themelimin e Institutit për Studime Orientale (ISO) në fund të vitit 2016, u mor vendim që Instituti të vazhdojë botimin e revistës “Studime Orientale”, pasi që tashmë ishin bashkuar orientalistët nën një ombrellë, shkruan sot Koha Ditore.

“Mirëpo, duke marrë parasysh se Statuti i Institut thekson edhe promovimin e shkencës dhe kulturës shqiptare në botë, u vendos që revista të dalë në pesë gjuhë të ndryshme, në të cilat u botuan punime origjinale dhe punime të përkthyera nga shqipja në gjuhët botërore”, ka shpjeguar Mufaku, i cili prej tetorit të vitit të kaluar është zgjedhur drejtor i Institutit të Studimeve Orientale në Prishtinë.

Sipas tij, në këtë numër të revistës, që doli në 250 faqe. janë tri punime origjinale që trajtojnë tema të ndryshme dhe përkthimi arabisht i punimit të Skënder Gashit për egjiptianët e Kosovës. Në mesin e punimeve origjinale, sipas Mufakut, është edhe ai që ndriçon jetën dhe veprën e shkrimtarit dhe politikanit të njohur Mehdi Frashëri sa ishte guvernator i Jerusalemit ose i Palestinës, siç quhej më 1912, i cili doli me një përvojë të pasur që reflekton në fjalimin e tij në Ligën e Kombeve më 1937, në të cilin paraqiti një vizion të vetin për zgjedhjen e konfliktit midis arabëve dhe hebrenjve në atë vend. Mufaku ka treguar se një punim tjetër që ka të bëjë me historinë shqiptare është ai i Abdulla Rexhepit, "Logjika e Aristotelit në mjediset shqiptare", kurse punimi i tretë i Isa Memishit prezanton Fjalorin e parë historik të gjuhës arabe, që u botua në Doha më 2018, pas dështimit të shumë përpjekjeve gjatë shekullit të kaluar.

“Po ashtu nga kultura shqiptare kemi një punim origjinal në turqisht të Fatma Shehut, që prezanton veshjet tradicionale shqiptare në fshatin Guri i Bardhë të Shqipërisë deri në shekullin XV, pra deri në pushtimin osman”, ka thënë Mufaku.

Përveç punimeve origjinale dhe të përkthyera, revista përmban edhe disa recensione të librave të rinj. Mufaku ka veçuar dy recensione, atë në shqip për librin e Nehat Krasniqit "Zhvillimi i kulturës shqiptare me ndikime orientale prej shekullit XVII e deri në fillimet e Rilindjes Kombëtare" dhe atë në anglisht për librin "Epitafet në gjuhën osmane – deshifrimi dhe përkthimi i tyre, Regjioni i Prishtinës 1".

“Po ashtu, në rubrikën ‘In Memoriam’ përkujtohen dy figura që punuam një kohë në Degën e Orientalistikës në Prishtinë: Mehmet Kico (1949-2018) dhe Qemajl Morina (1951-2019)”, ka thënë Mufaku.

Revista “Studime Orientale” ka redaksinë me orientalistë të Kosovës dhe Ballkanit, si Muhamed Mufaku, Abdulla Hamidi, Munir Mujiq, Tatjana Paiq-Vuliq, Turan Multa, Xhemile Abdiu, Isa Memishi, Nehat Krasniqi, Abdulla Rexhepi dhe Zekije Xhafçesi dhe një bord konsultativ ndërkombëtar me emra të njohur nga Franca,Polonia,Bullgaria,Turqia, Irani,Libani, Egjipti dhe Tunizia.