Kulturë

Muzikanti i rrëfimeve të bukura nëpërmjet tingujve

Vokalisti, tekstshkruesi e aranzhuesi amerikan i këngëve, Jonathan Hoard, kishte bashkëbiseduar gjatë me disa të rinj në njërën prej ditëve të vizitës së tij të parë në Kosovë, në javën e dytë të marsit të këtij viti.

Nga emocionet, rrallë qëndronte ulur. Ecte përreth ambientit, shikonte gjërat me kureshtje dhe nganjëherë ia thoshte ndonjë kënge të Steeve Wonder. Për vete s’flet shumë pa e pyetur. Përparësi u jep rrëfimeve të të tjerëve. Mbase jo rastësisht, shkruan sot “Koha Ditore”.

Thotë se tre faktorëve u është mirënjohës më së shumti për karrierën e tij muzikore: familjes, kishës dhe kolegjit. Më pastaj thotë të kenë ardhur në jetën e tij edhe shumë njerëz të mirë që e ndihmuan të arrijë suksese.

Pjesëmarrësit e natës së tretë të festivalit “Prishtina Jazz Week” zor se e kanë harruar zërin melodioz të vokalistit Hoard, që ka qenë i ftuar special i edicionit të sivjetmë, të dytit me radhë.

Aty kishte rënë në sy thjeshtësia e tij, që priste i ulur në skenë derisa i erdhi radha për të performuar vetë. Vallëzimi, veshja e tij e veçantë bardhezi, stili i flokëve, zëri, thonjtë. Gjithçka kombinon mozaikun që Hoard të mbahet në mend.

Publikut atë natë u ishte drejtuar me falënderime dhe përshëndetje në shqip dhe në fund kishte bashkëbiseduar me secilin që i ishte afruar. Skenën kosovare në të cilën për së pari herë u ngjit dhe publikun kosovar që për herë të parë e pa, e pushtoi me tingujt e këngëve “Taboo to Love”, “Ask me Now” të kompozitorit dhe jazz-pianistit amerikan Thelonious Monk, “500 Miles High” të kompozitorit amerikan Chick Corea, “Joy and Sorrow” e Joe Sanders e të tjera.

Rrugëtimi drejt elitës

Hoard ka mbërritur në elitën e industrisë muzikore, kur më 2017 kënga “No problem” e Chance the Rapper me Lil Wayne e 2 Chainz mori “Grammy” për performancën më të mirë rap. Ai kishte kontribuuar për tekstin e kësaj kënge. Sot si 31-vjeçar thotë se ka udhëtuar në Spanjë, Francë, Kanada, Austri, Slloveni, Japoni, Kroaci, Republikën Domenikane, Londër, Itali e së fundmi edhe në Kosovë. Si me shaka e thotë se në çdo vend që shkon përfundon duke ia dashur shumë ushqimin.

“Edhe këtu në Kosovë hiç nuk po ngopem. Vërtet më pëlqejnë këto ushqime”, thotë ai. Vëmendjen dhe përkrahjen e publikut kosovar thotë se nuk do ta harrojë asnjëherë. Jo se nuk di ndryshe, por Hoard e do këndimin jazz, sepse thotë t’i ketë mundësuar të jetë i lirë për të eksperimentuar dhe për të gjetur veten te ajo se çka vërtet i fle në zemër.

“Beso ose jo nuk e kam zgjedhur jazzin, fillimisht kam kënduar muzikë kishtare dhe nuk guxoja të dëgjoja lloje të tjera të muzikës. Por në shkollë të mesme të muzikës më bënë të besoja se mund të këndoja mirë jazz, se posedoja elementet e duhura”, ka thënë Hoard.

Së pari ka kënduar në kishë. Atje filloi gjithçka.

“Babai im fillimisht ka kënduar këngë popullore, ndërsa gjyshi i tij ka qenë pastor dhe ka kënduar në kishë. Po ashtu, edhe gjyshja ime dhe kjo më është përcjellë mua”, rrëfen ai. Thotë se krejt familja e tij janë të mirë në këndim, e shumica dinë të luajnë edhe në instrumente. Faktin që është rritur në një familje të tillë muzikantësh thotë ta ketë pasur frymëzim kryesor.

Rrëfen një mësim që e ka mbajtur në mend nga fëmijëria e tij, i rritur mes 4 vëllezërish e dy motrave të tjera. Prindërve iu kishin thënë atëbotë që kurrë të mos mundohen të tingëllojnë si askush tjetër, të jenë vetvetja. Hoard thotë se u bënë dëgjues të kujdesshëm e që nga atëherë muzika që bënin mbarte nga një pjesë të tyre.

Përjetimi i së tashmes në skenë

Ambienti familjar, thotë se e ka formësuar Hoardin si njeri, artist dhe muzikant. Ai cilësohet si një muzikant i talentuar, por mbi të gjitha edhe performues i mirë dhe shpeshherë thotë se ngado që ka shkuar e kanë quajtur “njeriu më i ngrohtë, më i kthjellët dhe më i gjallë në dhomë”. Këto veti pa dyshim që reflektohen edhe në punën e tij si artist.

“Unë ia lejoj vetes të përjetoj të tashmen teksa performoj live”, ka thënë ai. Skena është vërtet vendi ku ai e gjen veten dhe ia del të jetë magjepsës. Hoard, që nga brendia e vet është në sinkronizim të plotë me publikun e tij, te ata transmeton energjinë dhe mishërohet me ta përmes tingujve. Krejt të arriturat e së tashmes, të kaluarës e së ardhmes në muzikë ai ia dedikon familjes së tij.

“Ne jemi rritur duke kënduar dhe luajtur në instrumente teksa kryenim shërbesat fetare. Ka qenë kohë e artë”, thotë ai dhe një buzëqeshje e lehtë ia përshkon fytyrën teksa sjell ndërmend këto kujtime.

Kisha thotë se ia ka trasuar rrugën e tij muzikore. Babai i tij ka qenë kitarist i bendit në Ohio në vitet ’80. Prej tij thotë ta ketë trashëguar që nëpërmjet muzikës të tregojë veç histori të bukura.

“Pasi që babai im e gjeti nënën time, e më pas Zotin, ai u përkushtua që përmes muzikës së tij të japë lajme të mira. Ne jemi tetë fëmijë dhe së bashku me nipat e mbesat ishim bendi i tij”, është historia që shpalos ky muzikant.

Hoard shkollën fillore dhe të mesme i ka kryer në Ohio, ndërsa studimet në kolegjin muzikor të Berklee në Boston.

“Bostoni më dha mjaftueshëm kohë për të mësuar pianon, ulesha në të me orë të tëra duke eksperimentuar me tingujt dhe akordet, praktikoja çdo gjë që e mësoja. Të jetuarit në Boston më ka mundësuar që, po ashtu, të punoj me bende dhe artistë të ndryshëm si: Rashad Mc Pherson, bendin bashkëkohor urban ‘The Love Experiment’ dhe ‘Nwa Soul Project’ që merren me jazz. Krejt këto i bëja jashtë jetës akademike”, shton ai në rrëfimin e tij.

Atje thotë se, para së gjithash, ka mësuar si ta shpenzojë kohën me efektshmëri.

“Kjo shprehi mbeti në mua dhe tash më ndihmon të balancoj projektet e shumta artistike”, thotë ai.

Megjithatë, asaj kohe të ngarkesës së madhe thotë se i falënderohet se shprehia e balancës i ngeli dhe sot ia del të menaxhojë projektet dhe turnetë e shumtë artistikë.

Muzika që shuan dallimet

Edhe për shkrimet e teksteve thotë se ndikimin e kishte nga kisha, sepse ai i rishkruante pjesët kishtare që do t’i këndonin vëllezërit e motrat e tij në ngjarjet dhe shërbesat e veçanta kishtare.

Kënga, shkrimi i teksteve e interpretimi për të janë përjetim shpirtëror para së gjithash, pastaj mënyrë me anë të së cilës i tregon historitë që i ka dëgjuar nga dikush a diku dhe mënyrë se si e prezanton veten.

Në kishë thotë se e gjeti lirinë e duhur dhe u ushtrua të këndojë, e pasi që doli nga aty nuk e pati asnjëherë të vështirë që të kalojë te jazzi.

Thotë se njerëzit e përkatësive të ndryshme etnike mund të gjejnë shumë të përbashkëta përmes tingujsh.

Sot Hoard konsiderohet më shumë sesa thjesht një vokalist: ai këndon, shkruan tekste, kompozon e aranzhon muzikë për bende e artistë të ndryshëm si “Sonnymoon”, “The Love Experiment”, “Dynamo”, Big Yuki e të tjerë.

Njërin prej bashkëpunëtorëve të tij aktualë, pianistin slloven Marko Churnchetz, e përshkruan si njeri të jashtëzakonshëm dhe talent të pashembullt. Gjatë katër vjetëve të fundit ai është bërë ndër njerëzit kryesorë të skenave të New Yorkut, skenës së hip-hopit, drejtues i një programi seancash të hip-hopit të njohur si “The Lesson”. Megjithëse kaq shumë gjëra thuhen e shkruhen për të, Hoard thotë për të rëndësi kanë ndjesitë dhe kujtimet e bukura që i krijon ngado që shkon.

Ai ka performuar me hip-hop legjendën Pharoahe Monch dhe ka pasur rastin të ushtrojnë vokalin me artistë si: Jean Grae, Quelle Chris, Meshell Ndegeocello dhe Ray Angry.

Për të muzika është një botë.

“Për shembull, edhe pse ju keni kulturë të përgjithshme dhe muzikore ndryshe apo gjuhë tjetër, prapë ka shumë gjëra të përbashkëta. Përtej pengesave tona gjuhësore, me muzikë gjejmë të njëjtën botë”, thotë me bindje ai. Këtë e ilustron me shembullin e luftës. Thotë se kosovarët dinë për luftën, ngase edhe vetë e përjetuan atë, dinë për padrejtësitë. Edhe afroamerikanët janë përballur me to.

E këta dy shembuj thekson se i mori për të qenë më e lehtë bindja se njerëzit janë në gjendje ta kuptojnë njëri-tjetrin.

“Çdo kund ka akorde dhe ritëm në muzikë, pavarësisht çfarë stili i takon, mbase më shumë duhet menduar për ritmin dhe muzikën sesa për stilet muzikore. Në fund të fundit, duke menduar asisoj do të gjeni gjuhën dhe stilin që ju përshtaten juve. Duhet edhe të dëgjoni, të mendoni për meloditë, se si ato ndikojnë te ju”, thotë Hoard.

Diku nga mesi i rrëfimit thotë se është i vetëdijshëm se prek tema të ndryshme, e më pak flet për veten, por thotë se nuk është fort tip i “ligjëratave biografike”.

Përtej rregullave

Hoard përmend se më së miri në art a muzikë është se veprohet ashtu siç e ndien njeriu.

“Unë kam diplomë në muzikë, por aq më bën për rregullat. Muzika është më shumë si një bisedë. Thyeni pengesat gjuhësore, edhe kur jeni në skenë, edhe pas provave, paraqitjeve skenike, diplomave, turneve a çka do tjetër, mos harroni të bëni thjesht muzikë për veten. Mos e vrisni shumë mendjen, po thjesht bëni muzikë dhe dëgjojeni”, këshillon Hoard.

Ndër përvojat interesante që i ka përmendur janë disa prova që i kishte mbajtur në Graz të Austrisë më 2016, ku këndonte këngën “What a wonderful world” dhe të gjitha fjalët e këngës së bashku me bendin i kënduan si nota.

“Ishte prova më interesante që e kam bërë ndonjëherë, ishte shou në vete. Gjëja më interesante në përgjithësi që e kam bërë ndonjëherë. Duhet që ta mundni frikën, të besoni te vetja dhe të njerëzit e mirë dhe ta ndieni muzikën”, thotë ai.

Ka disa vjet që Hoard, i lindur më 16 nëntor të vitit 1988 në Ohio, është zhvendosur në New York dhe thotë se atje ka mësuar që të mos i nënvlerësojë njerëzit. Atje ka shumë fitues të çmimeve “Grammy”, por nga ana tjetër edhe shumë bende të pavlerësuara që bëjnë muzikë në dasma dhe prova përreth qytetit. Si artist që incizon këngët thotë se mundohet ta bëjë incizimin sa më të pastër dhe të mos bëjë kalime drastike të zërit, për të cilat do të mundë të haste në moskuptim nga dëgjuesit e tij.

Hoard thotë se performanca live është “çast” që domosdo duhet të kapet. Në studio, shton se mund të modifikohen gjërat në mënyrë që historia që tregohet përmes muzikës të zgjatë.

Edhe puna me instrumente dhe instrumentistë thotë se e ka ndihmuar të jetë më i koordinuar në performancat e tij live. Ndonëse skenat janë të ndryshme, ai vetes i bën vend gjithkund, pasi konsideron se në performanca artisti duhet dhënë gjithçka nga vetja, jo vetëm atë çka e konsideron si të nevojshme për skenën. Mbi të gjitha, këtë e arrin me zemërgjerësinë dhe talentin e tij.