Kulturë

Iluzioni se mund të dëgjohet zëri i shkrimtarit është atavizëm

Foto: Koha

Rreth 2500 vjet më parë, Platoni nuk e pranoi Simulakrumin (kopjen që i ikën modelit fillestar), prandaj i dëboi poetët nga Republika e vet, përveç rastit kur ata i thurin lavde shtetit. Shkrimtari i sotëm (shqiptar) e pranon Simulakrumin, për t’i ikur këtij raporti me shtetin, përveç të tjerash, edhe se socrealizmi është një kujtesë e hidhur, por edhe se sheh se epoka që jetojmë ka nxjerrë prapë në plan të parë pikërisht politikën dhe përpjekjet e saj të vazhdueshme për të siguruar mbështetjen e kapitalit të madh, me anë të të cilit fitohet mbështetja e elektoratit.

Shkrimtari i sotëm pranon se me këtë shndërrim të madh në politikë është shtuar komunikimi, por edhe se çështjet kyç nuk kanë marrë përgjigje, pasi, ndryshe nga koha kur dëgjohej zëri i një Volteri a Tolstoi, Sartri a Kamyja, me mungesën e ideologjive, të cilat ushqeheshin nga pakënaqësia dhe revolta, mungojnë edhe rrethanat që të grumbullohen shumë njerëz rreth një ideje të veçantë. Iluzioni se mund të dëgjohet zëri i shkrimtarit është një atavizëm. Ka ardhur koha e letërsisë si e tillë. Në fakt, kjo kohë ka qenë edhe më përpara, por nuk e ka pasur konsideratën tonë, shkruan sot Koha Ditore.

Pas Mesjetës, që karakterizohej nga mendimi se Zoti është masa e gjithçkaje, pas Rilindjes, Iluminizmit dhe gjithë kohës moderne, që u kthye nga mendimi se njeriu është masa e gjithçkaje, epoka postmoderne karakterizohet nga një vetëdije e copëtuar dhe fragmentare, prandaj ndryshe nga dy epokat e tjera, të cilat e kanë njësuar ligjërimin, kjo e fundit, nga kjo pikëpamje, është pasqyrim i vetëdijes së lartpërmendur – pra, e copëtuar dhe fragmentare. Si rrjedhim (nuk është rasti për të përcaktuar nëse kjo ndodh për mirë apo për keq), ligjërimi i sotëm karakterizohet nga copëtimi dhe fragmenti.

Kështu, edhe romani. Edhe po të përpiqesh t’i shpëtosh, nuk ia del. Romani, si një gjini e re e letërsisë, është shumë i përthyeshëm. Po pikërisht pse është gjini e re, si dhe në saje të kësaj përthyeshmërie, pritet t’ia dalë.

Ja një shembull që na thotë se nuk e fiton luftën përkthimi më i përpiktë.

“Ki dyshim se yjtë janë zjarr; ki dyshim se dielli tundet; ki dyshim se e vërteta është gënjeshtër; por kurrë mos ki dyshim se të dua. (Faik Konica) “Thuaj yjtë s’janë zjarr,/ Thuaj dielli u shua,/ Thuaj jeta është varr,/ Por mos thuaj që s’të dua”. (Fan Noli)

kush nuk ia pohoi vetes: “unë jam i dashuruar”! Po kur poeti shkroi: “Do të shtrihem,/ të venitem/ si kandili, kur s’ka vaj,/ balt’ e pluhur/ do të bëhem/ të më shkelnjë këmb’ e saj;/ e të prehem/ duke puthur/ atë këmbë pasandaj./ A s’më thua:/ ç’ke me mua?/ Pse të dua, paskam faj?”, ndodhi ajo që na jep dorë ta zbërthejmë poezinë në rima e ritme, ashtu siç zbërthejmë një orë, e me pjesët e hapura ta ngremë sërish në këmbë, duke rikthyer shërbimin e saj.

Nga pikëpamja e një historie letrare, poezinë shqipe mund ta shohim në tri ndarje të mëdha: - Poezia parakombëtare (poezia krijohet dhe qarkullon në qarqe të mbyllura kulturore, duke u shtrirë drejt formatit të kombëtares) - Poezia kombëtare (duke filluar me De Radën dhe duke u mbyllur me Poradecin, poezia qarkullon dhe njeh komunikimin e mundshëm, duke u pasuruar vazhdimisht me poetika dhe forma.

Nisur nga koncepti bartian, përcaktohet nga ligjërimi klasik si semantikë) - Poezia moderniste dhe bashkëkohore (duke filluar nga Migjeni, poezia shkon drejt hapjes së formës, duke treguar se ka shumë mënyra për ta krijuar atë. Nisur nga koncepti bartian, përcaktohet nga ligjërimi modern si semantikë. Gjithashtu, përcaktohet nga ritme dhe metra të përdorur lirshëm. Lënda poetike kërkon mjete dhe struktura të reja. Rima ose fillon të mungojë, ose është e brendshme. Ajo që solli ky modernizëm është ende në përdorim).

Nga pikëpamja e poetikave më me ndikim, poezisë shqipe, të shfaqur në dy – tri dekadat e para të shekullit XX, kur Shqipëria e pavarur përpiqej të bëhej një shtet modern), mund t’i veçohen dy pole që tërheqin shumë nga vetja: - ajo e kultit të formës (arti i kënaqësisë estetike); - ajo e kultit të moralit të ri shoqëror dhe veprimit në emër të tij (arti i revoltës). Poetika e parë (që mbyll qarkun e poezisë kombëtare) – arti është etern dhe nuk i shërben askujt – lidhet me krijimtarinë e Lasgush Poradecit (1899-1987), student dhe doktorant i Graz-it (Austri). Në këtë art, ku në plan të parë dalin mjetet, ndërsa burimi i poetikës duhet kërkuar te parnasistët francezë, shembulli shqiptar i formës mbetet jezuiti i kulturuar Ndre Mjeda (1866-1937).

Ky “parnasisëm” shqiptar, përgjithësisht, ngrihej kundër patriotizmit të tejkaluar dhe folklorizmit, duke u karakterizuar nga stili aticist – i përmbledhur, lapidar, thelbësor. Stili tjetër, azianizmi - tepri, paqartësi, tensionim - një botë që lejon të shndërrosh gjithçka në gjithçka, ku një ngjarje artistike nuk buron prej botës së natyrës, por prej botës së përfytyrimeve, do të shfaqet më vonë.

Shumë shpejt kam parë se interesohem më fort për mënyrën se si tregohet një histori, sesa për vetë historinë, sado e çuditshme të jetë ajo, si dhe jam bashkuar me idenë se “forma e përdorur një herë del jashtë përdorimit dhe vlen për aq sa na nxit të kërkojmë një tjetër”. Në vartësi të subjektit që ndërron për çdo roman, ndërron edhe stili, duke kërkuar atë që kjo vepër të mishërohet. Kështu, çdo vepër ndryshon pozitivisht nga pikëpamja e formës letrare.

Shumë shpejt kam parë se më kanë shënjuar edukimi i parë si nxënës i një shkolle arti, si dhe puna shumëvjeçare si drejtues i një galerie arti. Kjo duket në kolazhet dhe pastichet që përzihen me format më tradicionale të të rrëfyerit, ku gjëra, shpesh të pangjashme, ngjiten për të krijuar një realitet të ri, i cili mund të jetë shumë gjëra të tjera.

Kjo përforcohet nga krijimi i fundit të hapur dhe situatat e pangulitura. Nga stereotipat e prozës, klishetë gjuhësore dhe rregullat kanonike të shkrimit, një shkrimtar përdor ato që mund të merren në mbrojtje në një epokë ku janë vënë në dyshim fuqitë e letërsisë. Nga përvoja, pra a posteriori, shoh se aty jam i përcaktuar jo nga pikësynimi, por nga sensi i të bërit.

Shoh se kjo punë (shkrimi, krijimi, kompozimi) është diçka si çlirim nga një sëmundje, prej të cilës rrjedh një kompleks krimineli: nuk do të doja të lija gjurmë apo dëshmi të asaj që më ka shkaktuar ky mundim, sepse duhet të mbetet vetëm libri i zhveshur dhe i përfunduar, një përvojë që nuk mund të përsëritet prej kujt, pasi edhe vetë nuk ka përsëritur ndonjë tjetër.

Dimë se në fillimet e veta çmimi “Nobel” është bazuar në konceptin gëtean të Weltliteratur (letërsi e përbotshme), koncept që i kishte bazat te filozofë gjermanë para tij, por drejtimet që merrte çmimi janë përcaktuar nga njerëzit në krye të Akademisë.

Faza 1901-1012 e shihte çmimin “Nobel” me optikën e idealizmit konservator ala hegelian, që i kishte të shenjta kishën, shtetin dhe familjen. Kjo prirje, që lidhet me qenien e sekretarit në krye të Akademisë, e çoi vlerësimin te shkrimtarë si Bjorstierne Bjornson, Rudyard Kipling dhe Paul Heyse, duke mbajtur larg shkrimtarë si Tolstoi (i konsideruar si shkrimtar i rëndësishëm, por “antikulturë”), Henrik Ibsen (i konsideruar negativ dhe shpirttrazues), Emile Zola (i konsideruar “cinik”), Henry James (i akuzuar si i turbulluar me motive të papastra – ajo që në fakt na tërheq sot) apo Thomas Hardy (heroina e të cilit konsiderohej imorale), sepse nuk i plotësonin kushtet e mësipërme. Neve na mbetet të themi se cilët i qëndruan kohës.