Kulturë

“Çdo lloj ekstremizmi fetar është fyerje ndaj Zotit e Njeriut”

Descriptive Text

Fe dhe Atdhe janë binomi ynë i pandashëm, Zoti dhe Populli. Jam munduar ta vazhdoj këtë traditë të ndritshme të klerikëve tanë gjatë shekujve, prej Formulës së Pagëzimit e deri në ditët tona. Kështu ka thënë dom Lush Gjergji.

Ai thotë se toleranca fetare, për ne, është tepër pak, sepse domethënë se e bartim, e durojmë dhe pranojmë njëri-tjetrin, pasi që s’ka tjetër rrugë dhe mundësi, shkruan sot Koha Ditore.

Më poshtë gjeni intervistën me dom Lush Gjergjin, që vijon nga numri i kaluar i shtojcës:

Keni botuar shumë vepra, kryesisht mbi figurën e Nënë Terezës, dhe të tilla me karakter puro fetare, por në shumicën e tyre vend të rëndësishëm zënë të dhënat historike e kombëtare. Kujtoj se kjo mënyrë qasjeje në veprat tuaja i ka ndihmuar autoritetit tuaj të krijoni simpati te masa e gjerë.

Dom Lush Gjergji: Fe dhe Atdhe janë binomi ynë i pandashëm, Zoti dhe Populli. Jam munduar ta vazhdoj këtë traditë të ndritshme të klerikëve tanë gjatë shekujve, prej Formulës së Pagëzimit e deri në ditët tona. Bëra çka dita dhe munda, apo si do të thoshte e Lumja Nëna Terezë: “Vepra të vogla me dashuri të madhe”. Le t’i vlerësojnë Zoti dhe Populli. Parimi im bazë është: Të shërbesh, domethënë të mbretërosh. Unë shërbeva Zotin dhe Popullin tim shqiptar me dashuri dhe për dashuri në kërkimin dhe zbatimin e të mirës së përbashkët.

Kur keni shkruar (librin) për Atenagorën, për shqiptarin në krye të Kishës Ortodokse, e keni pasur për qëllim ekumenizmin, gjetjen e gjuhës së përbashkët mes katolicizmit dhe ortodoksizmit. Sa është punuar në këtë drejtim, për shembull, mes katolicizmit dhe myslimanizmit?

Dom Lush Gjergji: Ekumenizmi apo dialogu ekumenik është lëvizje tashmë botërore për takim, afrim dhe bashkim të të krishterëve. Dhe në këtë drejtim kemi një përfaqësues dhe protagonist të dorës së parë, Patrikun ekumenik Atenagora I. Qëllimi im ishte njohja me jetën dhe veprën e tij, origjina e tij shqiptare, shpirti dhe botëkuptimi ynë, që i ka ndihmuar atij për të qenë “Profet i bashkimit” siç e kam quajtur unë. Përpos dialogut ekumenik, kemi edhe dialogun ndërfetar të krishterë-myslimanë, që për ne shqiptarët ka rëndësi të madhe dhe jetësore. Është punuar dhe punohet vazhdimisht, por kurrë nuk mund të themi mjaft, sepse këto dy drejtime, ekumenizmi dhe dialogu ndërfetar, janë mundësitë dhe domosdoshmëritë tona për përforcimin e vëllazërisë si shqiptarë dhe si besimtarë.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)