Kulturë

“Rrëqebulli i argjendtë” për dy veprat që i bashkon harmonia

Anda Kryeziu dhe Nemanja Radivojeviq janë fituesit e çmimit kryesor të edicionit të parë të Garës së Kompozitorëve të Ballkanit në Prishtinë. Të premten mbrëma ata kanë fituar “Rrëqebullin e Argjendtë” në garën që mbahet në kuadër të festivalit ndërkombëtar të muzikës “DAM”.

Në këtë mbrëmje, ku ishin kualifikuar pesë kompozitorë ballkanikë në kuadër të garës, që është hapur qysh vitin e kaluar, Angel Spirovski nga Maqedonia e Veriut ka fituar Çmimin e Filarmonisë së Kosovës e Damjan Joviqin nga Serbia atë të festivalit “DAM”. I riu kosovar Ylli Daklani ka fituar Çmimin e publikut. Të pranishmit kanë votuar pas përfundimit të koncertit që u është kushtuar veprave të kompozitorëve që ishin në garë. Veprat e të gjithë konkurrentëve që janë luajtur nga ansambli “Oerknal” nga Holanda nën dirigjim të Gregory Charette kanë emërues të përbashkët bashkëkohoren, shkruan sot Koha Ditore.

“DAM” si festival që zakonisht u krijon hapësirë të rinjve e muzikës eksperimentale, këtë vit për herë të parë ka ndarë çmime. Për rreth një orë e gjysmë të pranishmit kanë mundur të dëgjonin kompozimet e pesë prej kompozitorëve të rinj ballkanikë që kanë arritur deri në finalen e Garës. Të gjithë kompozitorët kanë qenë të pranishëm në koncertin që është mbajtur enkas për Garën, e cila ka për synim që të stimulojë krijuesit e rinj në muzikë.

Vepra e Anda Kryeziut nga Kosova është luajtur e para në këtë mbrëmje. Ajo ka thënë se “Time – Change – Rate” daton qysh prej viti 2017 dhe është një pjesë e një cikli për ansambël.

“Ka qenë pjesa e fundit e këtij cikli, i cili ka disa kohë tjera. E kam zgjedhur këtë pjesë që të konkurroj në këtë garë”, ka thënë ajo. Ka shpjeguar se i gjithë cikli është i bazuar tek tingulli.

“Do të thotë aspekti harmonik, aspekti fizik, ritmik, ai i rezonancës e efektin e tingullit në hapësirë. Vepra është luajtur disa herë, por është premierë në Kosovë”, ka thënë ajo. Sa i përket Garës, ka thënë se atë nuk e ka parë si garë në kuptimin e parë të fjalës, por ka shumë respekt për “Oerknal” e për festivalin “DAM”.(shkrimin e plotë e gjeni sot në “Koha Ditore”)