Kulturë

“DAM”-i në triptik me vepra shqipe, udhëtim pianistik e thirrje për art

Një udhëtim të gjatë mes tingujsh, zhanreve e veprave nga hapësira të ndryshme gjeografike, ka sjellë nata e dytë e festivalit ndërkombëtar të muzikës “DAM”. Ansambli “sFOURzando” ka zbërthyer magjinë e veprave shqipe, teksa ka dëshmuar edhe potencialin e gjeneratës së re të kompozitorëve kosovarë.

Por ky koncert ka qenë veç njëri kapitull drejt koncertit solistik të pianistit zviceran Romain Nosbaum, të mërkurën mbrëma në Sallën e Kuqe. Pos kontrasteve të tingujve, tek kalon prej atyre romantikë në orientalë, me repertorin e përzgjedhur, Nosbaum ka lidhur dy kontinente: Amerikën e Evropën, shkruan sot “Koha Ditore”.

Për publikun kosovar, me vetëm dy pauza ka sjellë 13 vepra, ndër to “Austrias” e Issaac Albeniz, “Valle spanjolle 2, orientale” të Enrique Granad, “Surviving Bridges of Love” të Albena Petrovic-Vratchanska, e “Oden” të Ernesto Nazareth. Përzgjedhja që ka bërë, për të është një rizbulim i këtyre veprave pasi kompozitorët e këtyre veprave nuk janë fort të njohur. Kryesisht vijnë nga Amerika dhe Evropa Jugore, gjë që për pianistin është sfidë përshtatja me motivet e tyre muzikore.

Muzika vendore ka qenë ajo që ka përbërë repertorin e koncertit të ansamblit “sFOURzando”. Në mesin e nëntë veprave, dy kane qenë premierë,

“AlbSonus” e Memli Kelmendit dhe “Pamje nga ballkoni” e Artan Hasanit. Në repertor qe edhe uvertura e filmit “Në fillim të verës”, prodhuar në vitin 1975 nën regji të Gëzim Erebaras, me muzikë të Kujtim Laros.

Flautistja Zanë Abazi është paraqitur solo me romancën vokale “Nokturn” të muzikologut shqiptar, njëherësh edhe themelues e Operës dhe Konservatorit Shqiptar, Albert Paparisto. Vepra e vetme e repertorit, që ishte në shqip, por e kompozuar nga një kompozitor italian, qe “Moj e vogël si floriri” e Paolo Marzoochu, që u luajt nga pianistja Denita Dedushaj.

“Pamje nga ballkoni” e kompozitorit Artan Hasani e solli edhe një herë grupin së bashku, në verën që ngërthen tinguj të dëgjuar, por të tillë që zor se u jepet ndonjë emërtim. “Katër këngë dhe valle dasmash” e Thoma Simakut u interpretua nga klarinetisti Fisnik Hasani, ndërsa atë të Aleksandër Peçit me po të njëjtin titull e solli violinistja Vlora Çitaku. Pianistja Nita Zeqiri, që ka qenë mysafirja e këtij koncerti, tek solli një udhëtim 11-minutash me veprën e kompozitorit dhe pianistit rus Dimitri Shostakovich, “Vallet e kukullave”.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)