Kulturë

Promovohet libri për Bajram Kelmendin, në përvjetorin e vrasjes me dy djemtë

Dekada e dytë e vrasjes së avokatit të njohur shqiptar Bajram Kelmendi dhe dy djemve të tij, Kastriotit dhe Kushtrimit është përkujtuar me promovimin e librit “Mbrojtësi” të autores Valbona Mehmeti.

Biografia e avokatit që ishte ngritur kundër padrejtësive që iu bëhej shqiptarë nga represioni serb, është përmbledhur në vëllimin e Botimeve “Koha”, e cila u përurua të hënën pasdite, raporton KTV.

Autorja e librit, Valbona Mehmeti, deklaroi se përmes dëshmive të botuara në këtë libër ajo ka bërë përpjekje ta sjell sa më autentike figurën komplekse të avokatit Kelmendi.

Redaktorja e librit, Flaka Surroi tha se libri u vendos të shkruhet ndër të tjera që t’u shërbejë brezave të rinj që të njihen me një person që ka nxitur përherë shumë admirim.

Më 25 mars të vitit 1999 me breshëri të plumbave ishte ekzekutuar mizorisht avokati Bajram Kelmendi me dy djemtë e tij, Kastriotin dhe Kushtrimin.

Libri për biografinë e avokatit Kelmendi tashmë është pjesë e vargut të gjatë të titujve të Botimeve “Koha”.