Kulturë

Faik Konica i Brukselit

Descriptive Text

I pranuar apo i kontestuar, i dashur apo i urryer, i vlerësuar apo i mohuar, si autoritet i kohës dhe si autor i tejkohësisë, Faik Konica prore e ka zgjuar vëmendjen e studiuesve të botës shqiptare, shkruan sot “Koha Ditore”.

Historia e kulturës, e dijes shqiptare dhe e ndërgjegjësimit shqiptar, në asnjërin variant, nuk është e mundur të shkruhet pa të. Të vetëdijshëm për këtë fakt studiuesit e historisë dhe të kulturës sonë kombëtare i kanë kushtuar vëmendje të veçantë, i kanë nxjerrë në pah veprimtaritë e tij themelore, karakterin e tij njerëzor, veçmas trashëgiminë pa të cilën historia jonë kulturore dhe përgjithësisht historia e shqiptarëve nuk mund të shkruhet.

Ndonëse nuk është vendi t’i përmendim të gjithë autorët tanë që kanë kontribuuar në fushën e studimeve koniciane, duhet thënë se janë shkruar një varg studimesh, biografish e monografish interesante për mjeshtrin e shkrimit shqip, janë trajtuar aspekte të veprës së tij letrare, eseistike, publicistike e shkencore, të veprimtarisë së tij atdhetare e diplomatike, të marrëdhënieve dinamike me bashkëkohësit, me shqiptarë dhe të huaj, pastaj janë marrë në shqyrtim diskutimet e tij me sens kritik e polemizues për çështje nga më të ndryshmet etj.

Prof. dr. Isak Shema bën pjesë ndër studiuesit e jetës dhe të veprës së Faik Konicës. Interesimet e tij të vijueshme për këtë personalitet të botës shqiptare i ka kurorëzuar këto ditë me librin “Veprimtaria e Faik Konicës – Bruxelles 1896 – 1902”. Ndonëse libri është rezultat i interesimeve dhe i studimeve të kahershme e të vijueshme, ai merr shkas dhe përplotësohet nga fakti se vitin e kaluar profesori ynë ka bërë një hulumtim në Arkivin e Përgjithshëm Mbretëror në Bruksel lidhur me aspekte të jetës së Faik Konicës për kohën sa qëndroi në këtë qytet, si dhe lidhur me veprimtarinë shkrimore të tij në vitet e përmendura.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)