Në Shkup themelohet Qendra Përkujtimore e Eksodit “Bllacë 1999”

Në Shkup themelohet Qendra Përkujtimore e Eksodit “Bllacë 1999”

20 March 2019 12:00

Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, në prag të shënimit të 20-vjetorit të eksodit masiv të shqiptarëve nga Kosova drejt Maqedonisë, themeloi Qendrën Përkujtimore të Eksodit „Bllacë 1999” – Shkup. Ky subjekt i ri, i cili do të funksionojë në kuadër të Departamentit të Muzeologjisë, u themelua nga Këshilli i Institutit, me propozim të drejtorit Skender Asani.

Vitin e kaluar, Instituti kishte përgatitur një elaborat të cilin ua dorëzoi dy qeverive, asaj të Maqedonisë dhe të Kosovës, që përvjetori në fjalë të shënohet me inaugurimin e një qendre përkujtimore dinjitoze në pikën ku ndodhi katastrofa humanitare në Bllacë.

“Bllaca, atëbotë, u bë kufi jo ndërmjet shteteve, por ndërmjet jetës dhe vdekjes! Duke qenë kjo katastrofë humanitare pikërisht në fund të shekullit XX, Bllaca mund të jetë metaforë edhe e të gjitha vuajtjeve të shqiptarëve nga viti 1913 e këndej. Në Bllacë vuloset vuajtja e vaji dhe aty personifikohen shpërnguljet e shqiptarëve që kanë ndodhur gjatë gjithë shekullit. Aty është ‘Muri i vajtimit’ të shqiptarëve për eksodin që e përjetuan”, u shpreh drejtori Asani.

Sipas tij, vendosja e kësaj qendre përkujtimore në Bllacë, do të duhet të shërbejë edhe si gurthemel i marrëdhënieve të mira të Maqedonisë dhe Kosovës, si peng kujtimi për atë ngjarje. Ajo pikë është jo vetëm guri i kufirit, por është edhe kujtesë se atëbotë Maqedonia – e gjetur ngushtë nga vala e madhe e refugjatëve, pas ndihmës ndërkombëtare – i hapi dyert dhe pranoi gati gjysmë milion njerëz.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme