Kulturë

Libri “Veprimtaria e Faik Konicës” sjellë dëshmi të panjohura për Faik Konicën

Descriptive Text

Veprimtaria e Faik Konicës vjen e përmbledhur në një libër nga Profesor doktor Isak Shema, i cili paraqet dokumente arkivore të dosjes së veçantë të Arkivit në Bruksel. ”Veprimtaria e Faik Konicës, Bruksel 1896-1902” do të promovohet më 20 mars, në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë.

“Gjuha shqipe është gjuhë me shije, e bukur dhe e bekuar”, kështu kishte porositur shkrimtari shqiptar Faik Konica, derisa përpiqej të përhape idenë që gjuha e lashtë shqipe të përdorët gjithandej.

Diplomati shqiptari kishte arritur të ndërtojë idenë themelore si duhet të shkruhet, mësohet e unifikohet gjuha shqipe.

Për këtë flet për KosovaPress, profesori Isak Shema, i cili pas qëndrimit studiues në Universitetin e Brukselit, sjell këtë libër bazuar në materialet arkivore të fondit “Faik Knitca”.

E ky fond arkivor publikohet për të parën herë dhe plotëson botimin e përmbledhjes së punimeve në gjuhën shqipe dhe gjuhë të tjera.

Përmes këtij libri, Shema tregon se faza e parë e angazhimit patriotik e Faik Konicës ka qenë shumë e rëndësishme për njohjen e qytetërimit shqiptar, forcimin e lëvizjes shqiptare për liri dhe pavarësi kombëtare.

Ai flet për kohën kur Faik Konica pas përfundimit të studimeve nga Parisi kalon në Bruksel me idenë për të botuar revistën “Albania”. E prej atëherë, Konica ka filluar të shkruajë poezi, proza poetike, artikuj publicistik e tregime.

“Faik Konica në këtë kohë hap një periudhë të zhvillimit të kulturës, të arsimit, të emancipimit të popullit shqiptar, sepse ai inkuadrohet në lëvizjen patriotike të Rilindjes Kombëtare dhe veprimtaria patriotike është kryesore. Për këtë arsye në Bruksel, sa ishte duke zhvilluar këtë veprimtari shumë të pasur, ai dënohet nga perandoria osmane, për shkak të veprimtarisë patriotike kulturore, letrare, një herë 7 vjet më burg, pastaj me vdekje. Dhe, gjatë gjithë kësaj kohe ai ndiqet nga perandoria atëherë osmane, e cila kishte pushtuar Shqipërinë dhe Shqipëria luftonte për liri dhe pavarësi. Kështu që në ballë të kësaj lëvizje është vet Faik Konica”, thotë ai.

Tutje, Shema flet për vitin 1902 kur Konica detyrohet ta lëshojë Brukselin, e të kalojë në Londër deri më 1908.

Shema e ka ndarë librin në tre pjesë, ku në pjesën e parë përfshihen studimet për Faik Konicën.

“Në këtë libër, i cili është nga tre pjesë kryesore. Në pjesën e parë përfshihen studimet për Faik Konicën, në të dytën është material arkivor, për herë të parë i prezantuar këtu. Ky material i dosjes së Faik Konicës është marrë nga arkivi mbretëror i Brukselit, i Mbretërisë së Belgjikës, dhe tekstet të cilat janë aty në gjuhën frënge dhe në gjuhë të tjera janë përkthyer në gjuhën shqipe. Lexuesit dhe studiuesit e ndryshëm, për herë të parë tani kanë mundësi ta përcjellin këtë material, i cili do të thotë pasuron veprën studimore për Faik Konicën, ndriçon shumë aspekte, të cilat paraqiten në mënyrë të argumentuar duke u bazuar jo vetëm në krijimtarinë e tij, por edhe në përgjithësi në shkrimet e ndryshme, e tryeza më e madhe këtu është revista ‘Albania’”, thotë ai.

Autori vlerëson se me paraqitjen e dokumenteve arkivore të dosjes së veçantë të Arkivit të Brukselit, ndriçohen më mirë disa aspekte të jetës dhe krijimtarisë së Faik Konicës, që njihet si personalitet i shquar i kulturës shqiptare dhe evropiane.

Libri i Isak Shemës tashmë i është dhuruar Bibliotekës në Prishtinë, Institutit Albanologjik dhe gjendet nëpër librari.

Shumëçka nga jeta e Faik Konicës, që nuk është ditur më parë, vjen përmes këtij libri, që tashmë gjendet edhe në Shqipëri.

Faik Konica shquhet ndër njerëzit më të ditur të kohës së tij, dhe është konsideruar ndër intelektualët më të njohur në Evropë.

https://video.gjirafa.com/1903...