Kulturë

Muzeu unik i historisë së hebrenjve në Shqipëri

Në një rrugë të pjerrët shtruar në kalldrëm, në jug të Shqipërisë, gjendet një dyqan i vogël, i zbrazët, përveç një duzine panosh të përshtatura në mure që mbajnë foto dhe tregime për 500 vjetët e hebrenjve. Mund të jetë modeste, por ky është muzeu i vetëm historik i hebrenjve në një vend me shumicë myslimane. Është historia që tregon diçka të jashtëzakonshme: shteti i Ballkanit është i vetmi vend i pushtuar nga nazistët, ku popullata hebraike është rritur në numër gjatë Luftës së Dytë Botërore, falë trimërisë së familjeve të zakonshme që strehonin qindra refugjatë që iknin nga persekutimi gjatë Holokaustit.

Muzeu i vogël “Solomon”, i cili u hap në qytetin e Beratit vitin e kaluar, ishte një punë e dashur për historianin lokal Simon Vrusho. Por vdekja e tij muajin e kaluar, në moshën 75-vjeçare, e ka vënë në rrezik të ardhmen e Muzeut, qiraja e të cilit është e paguar deri në prill. Deri tani kishte mbuluar shpenzimet e muzeut me pensionin e tij dhe donacionet e vogla që lihen në një kuti afër derës.

“Kujtimet duhet të kenë shtëpinë e tyre”, kishte thënë Vrusho, një njeri i zjarrtë me sy të ngrohtë pak para se të vdiste nga sulmi në zemër në muajin shkurt. Ai kaloi vite duke mbledhur dokumente, fotografi dhe kujtime që dëshmonin për një komunitet hebre që arriti për herë të parë në Berat në shekullin e XVI. Kishin ardhur nga Spanja.

Në qendër të koleksionit janë tregimet e shqiptarëve myslimanë dhe të krishterë që strehonin hebrenjtë në shtëpitë dhe bodrumet e tyre gjatë Holokaustit, një kapitull i historisë, i cili sapo është bërë më i njohur gjerësisht. Kur gjermanët morën kontrollin e Shqipërisë në vitin 1943, autoritetet vendore gjithashtu refuzuan të dorëzonin listat e hebrenjve që ishin brenda vendit.

Falë këtyre akteve të heroizmit, popullsia hebraike e vendit u rrit nga disa qindra para luftës në më shumë se 2 mijë veta.

Sipas Memorialit të Holokaustit në Izraelit, “Yad Vashem”, “thuajse të gjithë hebrenjtë që jetonin brenda kufijve shqiptarë gjatë pushtimit gjerman... u shpëtuan, përveç anëtarëve të një familjeje të vetme", të cilët ishin depërtuar dhe të gjithë vdiqën, përveç babait. Një familje tjetër u deportua dhe mbijetoi. Kur pyetën për të shpjeguar këtë histori, shqiptarët thanë se qëndronin në "Besë" - një kod kulturor nderi për të “mbajtur fjalën e dhënë“ me çdo kusht. Ekziston gjithashtu një histori e pasur e tolerancës ndërfetare në një vend besimesh të ndryshme, të dukshme në Berat ku një kishë dhe xhami përballen njëra me tjetrën në të njëjtin shesh.

Brenda muzeut, Nezir Ago, një artist 40-vjeçar, tregon për një foto të zbehur të një njeriu të moshuar.

"Është gjyshi im", thotë ai, duke shpjeguar se bukëpjekësi mysliman mori një familje hebraike në fillim të viteve ‘40. “Ai nuk i njihte ata më parë ... kishte një detyrim për t'i strehuar ata”, shton ai. Fotoja qëndron pranë disa dhjetëra të tjerave nga më shumë se 60 familje në Berat që shpëtuan hebrenjtë, duke e bërë qytetin një qendër për refugjatët gjatë luftës. Në një listë me rreth 600 emra të shpëtuar identifikon vendet evropiane prej nga vinin, por në qytete të Ballkanit si Beogradi apo Prishtina, hebrenjtë u shfarosën brutalisht nga forcat naziste. Familjet shqiptare që i morën ata ishin “të krishterë dhe myslimanë, të pasur dhe të varfër”, shkruhet në një shpjegim të vendosur në mur. Ata ishin njerëz “humanë thellësisht të paimagjinueshëm”, kujton Vrusho, një i krishterë ortodoks, i cili kaloi vite duke intervistuar pleqtë e Beratit për tregimet e tyre. Sot, popullsia hebraike e Shqipërisë është pothuajse inekzistente, me më pak se 100 të tillë që jetojnë kryesisht në Tiranë. Pas Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria ra në kthetrat e një diktature komuniste që ndalonte fenë. Kur regjimi u rrëzua në vitin 1991, shumë prej komunitetit hebre ikën për në Izrael.

Image

Marilena Langu-Dojaka, 77 vjeç, është një nga ata që kanë qëndruar.

"Ne nuk jemi ende të lirë nga frika jonë", thotë ajo dekada më vonë pas terrorit që ka ndodhur. Ajo ka lindur në Shqipëri, në vitin 1942, pasi nëna e saj u largua që nga atëherë nga Çekosllovakia. Ata gjetën strehim me një familje në qytezën veriore të Matit.

"Kur nazistët kaluan nëpër fshat... familja jonë nikoqire na fshehu në male e në një bodrum derisa rreziku kishte kaluar”, kishte thënë ajo e mbërthyer nga emocionet. Derisa shtrëngonte një fotografi të të afërmeve që ia ka lënë nëna thotë me butësi: “Të gjithë vdiqën në kampe”. Dojaka ka mbajtur lidhje të ngushta me familjen shqiptare që e mbronte atë.

“Ata ndanë gjithçka me ne: bukë, dhimbje dhe gëzim”, thotë ajo. Vetëm pas rënies së komunizmit u shfaqën tregimet për kontributin e shqiptarëve në mbrojtjen e hebrenjve. Sot rreth 75 shqiptarë mbajnë titullin “Fisnikë mes Kombeve”. Ata u rrezikuan goxha për të shpëtuar hebrenjtë gjatë Holokaustit.

Historia është një burim në rritje i krenarisë në Shqipëri, ku Qeveria mban ngjarje vjetore për Ditën e Përkujtimit të Holokaustit dhe i kushton një ekspozitë historisë në Muzeun Kombëtar Historik të Tiranës. Por Muzeu i Vrushos është qendra e vetme e pavarur dedikuar historisë hebraike në këtë cep të Evropës Juglindore. Qëkur u hap, në maj të vitit 2018, ka pasur disa mijëra vizitorë nga e gjithë bota.

Nëse do të kishte më shumë mjete, Vrusho thotë se do të hapte një muze me “dyfish më të madh”.

Tani, e veja e tij Angjlina thotë se ajo është “shumë e shqetësuar për fatin e muzeut”.

“Iu desh një jetë e tërë për këtë punë”, thotë ajo me lot/ AFP.