Mënyra e sotme e të folurit – e ndikuar nga ushqimi i paraardhësve

Mënyra e sotme e të folurit – e ndikuar nga ushqimi i paraardhësve

19 March 2019 13:50

Mënyra e të folurit të sotëm, te shumica e njerëzve është pjesërisht e formësuar prej asaj se në cilën kohë paraardhësit e tyre kanë ndaluar së ngrëni mish të gjallë. Është e njohur se gjuhët evoluojnë me ndryshimet në shoqëri, por tingujt që i flet njeriu janë të formësuar prej pozicionit të nofullës së poshtme e kjo varet nga mënyra e përtypjes së ushqimit, thuhet në studimin e publikuar në revistën “Science”.

Linguistika më së shumti fokusohet në faktorët kulturorë, por sipas njërit prej autorit të këtij hulumtimi, “gjuha është edhe faktor biologjik”.

“Nuk mund të ndahen plotësisht kultura dhe biologjia”, ka thënë linguisti Balthasar Bickel.

Shkencëtarët kanë analizuar kafka njerëzish nga koha e gurit dhe të kësaj kohe për të stimuluar ndikimin e pozitës së ndryshme në aftësinë e gojës për të prodhuar tinguj të ndryshëm. Analiza është bërë në bazë të rreth dy mijë gjuhëve – më shumë sesa çereku i gjuhëve sa fliten sot – për të konstatuar se cilët tinguj përdoren më pak a më shumë dhe ku.

Përfundimi është se grupet të cilat më gjatë kanë mbijetuar si gjuetarë-mbledhës shumë më pak do të përdorin bashkëtingëllore në raport me shoqëritë që kanë kaluar më herët në bujqësi.

Para se njerëzit të fillojnë të kultivojnë bimë e ta ziejnë ushqimin, njerëzit e lashtë kanë përtypur mish të gjallë, që ka qenë hoxha ngarkesë për nofullat dhe dhëmbët. Kafkat e njerëzve nga koha e gurit nuk u ngjajnë atyre të njerëzve të sotëm duke qenë se dhëmbët në nofullën e epërme dhe të poshtme bashkohen plotësisht, përderisa te shumica e njerëzve të sotëm dhëmbët e epërm janë më përpara atyre të poshtëm kur goja është e mbyllur.

Ushqimi i butë jo vetëm që e pozicionon ndryshe nofullën e poshtme, por edhe ndryshon tingujt që shqiptohen lehtë. Për shembull, në këtë mënyrë është më e lehtë të shqiptohen shkronjat “f” dhe “v”.

Shkencëtarët kanë shqyrtuar 52 gjuhë nga grupi i gjuhëve indoevropiane, që përfshin dialekte nga Islanda e deri në Indi dhe kanë konstatuar se “f” dhe “v” me kalimin e kohës janë shfaqur gjithnjë në më shumë gjuhë. Idenë se bujqësia e ka formësuar gjuhën, para disa dekadash e ka shtruar linguisti amerikan Charles Hockett (1916 - 2000), por asnjëherë s’ka tentuar ta provojë këtë/Science.

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme