Kulturë

Diana Çuli: Letërsia ka rol misionar dhe njeriun e bën më të mirë

Ismail Kadare e kishte thënë “se nuk ka letërsi të madhe pa krim”. Mbase dhe jo rastësisht krimi ka qenë motivi i librit të shkrimtares shqiptare Diana Çuli, titulluar “Vrasje në Kryeministri”.

Diskutimi për këtë libër të saj ka qenë pikënisja e diskutimit me shkrimtaren, përkthyesen e intelektualen shqiptare, i mbajtur të shtunën mbrëma në kafenenë “Sonder” në kryeqytet, e ulur në mes akademikut Ali Aliu dhe gazetares e kritikes Alda Bardhyli. Diskutimi është mbajtur në kuadër të programit “Letërsia dhe qyteti”, që ka filluar para dy vjetësh dhe ka në fokus letërsinë shqipe dhe autorët shqiptarë, shkruan sot “Koha Ditore”.

Përderisa për librin “Vrasje në Kryeministri” e për krijimtarinë e saj ka folur akademik Aliu, shkrimtarja Çuli ka sjellë një rrëfim më të gjerë. Ka kujtuar vizitën e saj të parë në Kosovë që asokohe i dukej tamam Evropë, ka folur për pseudokufirin midis Kosovës e Shqipërisë, pengesat në shkëmbime kulturore për të qenit shkrimtar në kohën e komunizmit dhe tash, e për letërsinë që sipas saj ka rol misionar.

“E pastron shpirtin dhe të bën njeri më të mirë, përmes saj ngrihen pikëpyetje në aspektin e etikës dhe moralit në kuptim të gjerë”, ka thënë Çuli.

Pas rrëfimit të akademikut Aliu, fjalën e ka marrë shkrimtarja Çuli, që me jo pak mallëngjim e ka kujtuar vizitën e saj të parë në Prishtinë si studente, në mesin e viteve ’70. Ka thënë se për të është gjithmonë kënaqësi kur kalon atë që ajo e ka quajtur pseudokufi.

“Është gjithmonë një kënaqësi kur e kaloj pseudokufirin, se mua nuk më duket më kufi ai. Tash që e kemi bërë me një kalim, mbase nesër s’do kemi kalime fare…Kur kam ardhur për herë të parë më dukej një ëndërr, më dukej e pamundur që mund të vinim”, ka kujtuar ajo.

Çuli u përket atyre zërave të paktë femërorë në letërsinë shqipe që ishin të pakta deri në vitet ’80. Ishte romani i parë i një gruaje, “Një lindje e vështirë” që ishte shkruar në vitet ‘70 nga shkrimtarja Elena Kadare e pastaj Çuli në vitet ‘80 erdhi me përmbledhje me tregime “Jehonat e jetës” dhe tre vjet më vonë me “Zëri i lartë”.

Në fund të vitit 1970 ajo kishte botuar historinë e saj të parë të shkurtër “Ndërgjegja”. Përveç autore librash, është edhe autore e disa skenarëve të filmave si “Hije që mbeten pas”, “Rrethi i kujtesës” dhe “Bregu i ashpër”. Disa nga veprat e saj të njohura janë edhe “Jehonat e jetës”, “Zëri i largët”, “Rekuiem”, “Dhe nata u nda në mes”, “Diell në mesnatë”, “Ëngjëj të armatosur”, “Gruaja në kafe”, “Hoteli i drunjtë”.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)