Kalaja e Novobërdës është kthyer në zonë të rrezikshme për qytetarët dhe vizitorët

17 March 2019 22:54

Edhe pas investimit prej 1.1 milion eurosh që iu bë dy vjet më parë Kalasë së Novobërdës, gjendja e saj është e mjerueshme.

Dëmtimet që i kanë ndodhur kalasë, kanë ngritur dyshime për mundësinë e shembjes, raporton KTV.

Të çarat iu shkaktuan kalasë, vetëm gjatë dy muajve të fundit.

Kështu, ajo është dëmtuar në katër vende, duke sjellë rrezik edhe për vizitorët.

Tri nga muret e jashtme të kalasë, janë shembur në këtë masë, gjersa nga brendia e saj ka shumë dëmtime.

Islam Vllasaliu, i cili përkujdeset për kalanë, thotë se ka rrezik të shembjes edhe të mureve tjera.

Banorët që e njohin historikun e kalasë, thonë se ka munguar ndërhyrja dhe përkujdesja institucionale, e për këtë arsye kalaja është në këtë gjendje.

Në Këshillin e Kosovës për Trashëgimi Kulturore, tregojnë arsyet kryesore që mund të kenë ndikuar në shembjen e mureve të kalasë dhe mundësinë e dëmeve të tjera të mundshme.

Luan Gashi, përgjegjës për Kalanë e Novobërdës, nuk ka pranuar të japë detaje për arsyet e gjendjes së krijuar, por shkurt ka thënë se së shpejti pritet të intervenohet për t’i sanuar dëmet.

As Fitim Bunjaku, udhëheqës për turizëm në komunën e Novobërdës, nuk ka pranuar të flasë për këtë çështje, ndonëse ishte i deleguar nga komuna të kujdeset për mbarëvajtjen e punimeve në restaurimin e kalasë. Bunjaku, sipas zyrtarëve komunalë të Novobërdës, që nuk kanë dashur të flasin para kamerës, kishte bashkëpunuar me kompaninë serbe “Koto” gjatë kohës së restaurimit.

Investimet që janë bërë në kalanë e Novobërdës, kanë filluar në fillim të vitit 2015 dhe kanë përfunduar në tetor të 2016-s, e janë financuar nga Komisioni Evropian, me 1.1 milion euro.

E, palët punë-kryerëse janë kontraktuar e mbikëqyrur nga UNESCO.

Hartimi i projektit konservues e restaurues ishte bërë nga kompania “Omega Engineering”, me seli në Dubrovnik, e punët ishin kryer nga kompania serbe “Koto”, me seli në Beograd.

Këta të fundit, ditë më parë, kishin dalë për të parë nga afër se deri në çfarë mase kanë ndodhur dëmet, për të nxjerrë pastaj një raport me gjetjet.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme