“Woman at War” me superheroinën karizmatike Foto: Washington Post

“Woman at War” me superheroinën karizmatike

Ann Hornaday 17 March 2019 19:03

Në një veprim të zhdërvjellët, “Mangolia Pictures” nis transmetimin e filmit “Woman at War” po të njëjtën ditë me “Captain Marvel”, mbase për t’iu dhënë shikuesve më shumë se një mundësi për ta parë një superheroinë duke i përvjelë mëngët dhe duke iu përveshur punës.

Në fillimin e këtij filmi intrigues dhe mbresëlënës në aspektin vizuel, një grua e quajtur Halla është duke e shtrënguar harkun e saj, duke goditur me shigjetë në drejtim të objekteve të shumta, një Artemisë e përditshmërisë, caku i saktë i së cilës mbetet i largët në një sekuencë në të cilën nuk zhvillohet ndonjë dialog.

E luajtur nga aktorja islandeze Halldora Geirharosdottir – me një paraqitje që të lë pa fjalë, në sfondin e një peizazhi rural – Halla nuk e thotë asnjë fjalë deri kur has në një bujk, që pranon ta ndihmojë në atë që del të jetë qëllimi i vetëm i saj: të protestojë kundër bashkëpunimit të Qeverisë islandeze me korporatat ndotëse, në këtë rast duke paralizuar përkohësisht një shkritore alumini.

Pas kthimit në Rekjavik, Halla është e angazhuar me obligime më të zakonshme: Është udhëheqëse e korit, që e ndan jetën sekrete me vetëm një apo dy bashkëpunëtorë, shkruan “The Washington Post”, transmeton “Koha Ditore”. Ajo ka posterë të Mahathma Gandhit dhe Nelson Mandelës në shtëpinë e saj, në një lagje të klasës së mesme.

Benedikt Erlingsson, skenarist dhe regjisor i “Woman at War”, nuk i detyron shikuesit që të pozicionohen në ndonjë anë. Teksa veprimet e Hallas bëhen më të rrezikshme dhe më të guximshme – duke nisur që të kontestohen gjithnjë e më shumë pas një zhvillimi të papritur në jetën personale të saj – një film që mund të ishte kremtim refleksiv i veprimit radikal politik, shndërrohet në një meditim të thellë rreth etikës së ekstremizmit, kufijve të paqes dhe reagimit adekuat ndaj kërcënimeve globale, që nuk janë vetëm të natyrës ambientaliste apo ekonomike, por ekzistenciale.

Pasi që përshkruhen ngjarjet e pas krizës financiare të 2008-s, “Woman at War” i ka të gjitha tiparet e një filmi triler përplot me tensione, nëse mund ta paramendoni atë gjë të inskenuar në peizazhet e paqta, të ndritshme të Irlandës, në vend të hijeve të “Wall Street” apo Washingtonit.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme