Kulturë

Bollywoodi dhe përplasjet midis Indisë e Pakistanit

Foto: BBC

Kur India kreu bombardime ajrore në territorin pakistanez, Pakistani jo vetëm që u hakmor me forcë, por edhe ndaloi filmat dhe televizionet indiane. Është mënyra më e lehtë e ndëshkimit, por duket se ka qëlluar në shenjë të gabuar, sikurse e dëshmon raporti i Ilyas Khanit dhe Shumaila Jaffreyt të BBC-së.

India dhe Pakistani janë përplasur qysh prej vitit 1947, por dashuria e tyre e përbashkët për Bollywoodin ishte ajo që kishte kapërcyer ndarjen dhe inatet pasuese.

Pavarësisht kësaj, Bollywoodi shpesh ka qenë në thumb të sulmeve të qeverive që shpresonin se do të realizonin qëllimin e tyre të hakmarrjes ndaj shtetit fqinj, me të cilin ka raporte armiqësore.

Kjo kishte ndodhur edhe pas sulmit të militantëve mbi ushtarët indianë në Kashmirin e administruar nga India, që rezultoi me kryerjen e bombardimeve ajrore kundër atij që thuhej se ishte kamp i militantëve në Pakistan muajin e kaluar, shkruan BBC, transmeton “Koha Ditore”. Pastaj Pakistani rrëzoi një bombardues indian, duke përshkallëzuar edhe më shumë krizën që rrezikonte të merrte përmasat e një lufte.

Shoqata Pakistaneze e Filmit ka bërë të ditur se janë ndaluar filmat e Bollywoodit, dhe një gjykatë e lartë pakistaneze nxori verdiktin se nuk do të lejohet asnjë përmbajtje indiane në televizionet lokale. Ndalesa vlen edhe për reklamat indiane, por në cak ishin filmat dhe telenovelat indiane.

“Kush do të dëshironte të shikonte përmbajtje indiane kur India po shkel kufijtë e vendit”, shkruante ndër të tjera në verdiktin e Gjykatës Supreme pakistaneze.

Dhe studentja Aqsa Khan, 24 vjeçe, pajtohet me gjithë zemër me vendimin.

“Ata po na detyrojnë të hyjmë në luftë, si mund të lejojmë që filmat dhe seritë e tyre të emetohen në Pakistan” – pyet zemërueshëm ajo.

Por ende mbetet të shihet nëse ndalesa do ta ketë efektin e shpresuar nga shteti pakistanez.

Për një grup pakistanezësh, kënaqësia që ofrojnë filmat dhe seritë televizive indiane nuk mund të lidhet me patriotizmin e vendit saqë të mbështet ndalesa.

“Jam rritur duke shikuar Shah Rukh Khanin, Aamir Khanin dhe Salman Khanin”, ka thënë Ali Shivari, një merakli i madh i kinematografisë indiane. Madje ka vendosur që të studiojë filmin vetëm për shkak të filmave indianë.

“Do të duhet goxha kohë derisa të gjendet ndonjë artist si puna e tyre në industrinë pakistaneze”.

Mbase, më e rëndësishmja është se është menduar në efektin ekonomik që mund të ketë ndalesa. Zyrtarët shpresojnë së paku se do të ketë efekte të barabarta në kuadër të masave ndëshkuese tregtare reciproke ndërmjet fqinjëve.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)