Kulturë

“Maniakë t’leximit” me klube të diskutimit përtej virtuales

Prishtinë, 14 mars – Ndonëse shifrat për leximin e librave nga të rinjtë nuk janë fort shpresëdhënëse, nisma në zbutjen e këtij fenomeni dhe shkëputjen nga bota virtuale, kanë filluar të ndërmerren dhe atë duke shfrytëzuar pikërisht rrjetet sociale.

Grupi “Maniakë t’leximit” qe krijuar para pesë vjetësh në rrjetin social Facebook. Adhuruesit e librit janë shoqëruar në këtë hapësirë virtuale. Sot grupi numëron 26.334 anëtarë, por kohëve të fundit nuk janë mjaftuar vetëm me njohjen dhe diskutimet virtuale. Kanë vendosur që të aktivizojnë klubet e librit në Prishtinë, Gjilan e Kamenicë.

Në kryeqytet takimi i parë mes lexuesve është mbajtur të shtunën e parë të marsit, në librarinë “Dukagjini”, ku pjesëmarrësit kanë diskutuar rreth librit të Leon Tolstoit “Ana Karenina”. Në fund dy nga pjesëmarrësit kanë fituar librin Ana Karenina I dhe II, që ishin dhuratë nga libraria.

Takimi i parë i lexuesve në qytetin e Gjilanit është mbajtur, po ashtu, më 9 mars, në Bibliotekën e Qytetit, ku është diskutuar për romanin “Prilli i thyer” të Ismail Kadaresë.

Luan Morina, themelues i grupit “Maniakë t’leximit” në Facebook, ka thënë se po bashkëpunojnë edhe me organizatën joqeveritare “Kasbah”, e cila është organizatë që shërben për aktivitete bamirëse jofitimprurëse.

Një iniciativë të tillë kishte ndërmarrë edhe organizata joqeveritare “ETEA”, e cila përveç takimeve të përmuajshme në Prishtinë më 27 janar kishin filluar të mbajë diskutime për librin edhe në qytetin e Ferizajt.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")