Ilire Vinca, pjesë e shfaqjes për shpëtimin e hebrenjve

Ilire Vinca, pjesë e shfaqjes për shpëtimin e hebrenjve

13 March 2019 19:17

Strehimi i hebrenjve nga shqiptarët gjatë periudhës së Holokaustit po vazhdon të rrëfehet edhe nëpërmjet projekteve artistike, transmeton emisioni Express në KTV.

Një rrëfim i tillë do të shpaloset edhe në Amerikë, në shfaqjen që do të inskenohet si bashkëprodhim ndërmjet teatrit të pavarur “Oda” nga Prishtina dhe “Bllesit Andres” të New Yorkut.

Në këtë projekt teatror që flet për shpëtimin e hebrenjve nga iniciativa më famëkeqe gjatë Luftës së Dytë Botërore, një nga rolet kryesore do ta luajë aktorja Ilire Vinca.

Si njëra nga aktorët, e cila në vazhdimësi merr ftesa për të qenë në kastën e projekteve filmike dhe teatrore, Vinca së fundi është angazhuar edhe në filmat “VERA ËNDËRRON DETIN” me regji të Kaltrina Krasniqit si dhe “Remigranti” me autor Astrit Alihajdarajn.

Ajo ka luajtur edhe në filmin “Gardhi” të regjisores Lendita Zeqiraj, projekt filmik ky që tentoi ta fitojë shansin për t’u nominuar në kategorinë “Filmi më i mirë i shkurtër”, për “Oscars” të 2019-s.

Në cilësinë e kryetares së Bordit të Qendrës Kinematografike të Kosovës, Vinca ishte e pranishme në edicionin e 69-të të Festivalit ndërkombëtar të filmit Berlinale, ku bëri marrëveshje me disa ekspertë të industrisë filmike, të cilët janë ftuar të vijnë në Prishtinë për të mbajtur punëtori.

Aktorja e njohur kosovare, po ashtu ka rol kryesor në komedinë “Karnavalet e Korçës”, me regji të Altin Bashës, që u dha premierë më 21 shkurt në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Ilire Vinca, krahas projekteve filmike do të jetë e angazhuar edhe në një projekt tjetër teatror që do të realizohet në Tiranë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme