“Unë dhe Milosheviqi”, thumbon heronjtë e rremë

“Unë dhe Milosheviqi”, thumbon heronjtë e rremë

12 March 2019 19:55

Heronjtë e rremë, të cilët shfrytëzuan situatat politike gjatë periudhës së pasluftës në Kosovë, janë temë e filmit “Unë dhe Milosheviqi” që gërsheton zhanret dramë dhe komedi.

Ky projekt filmik me skenar të Arben Kastratit, fokusohet në reputacionin e një njeriu anonim që shndërrohet në sakrifikues të lirisë duke përdorur emrin e të ashtuquajturit Kasapi i Ballkanit.

Gjashtëdhjetë e tetë aktorë do të jenë pjesë e kastës së këtij filmi të metrazhit të gjatë, që është ko-produksion ndërmjet Kosovës, Maqedonisë dhe Francës.

Aktorja e njohur franceze, Natali Bojer, do të luajë në rolin kryesor në filmin që në kastë përfshin edhe aktorët kosovarë Afrim Kasapolli, Blerta Surroi, Xhevdet Doda, Blerta Ismajli dhe të tjerë, raporton “Express” i KTV-së.

“Sa i përket personazhit tim, ajo është gazetare. Dhe, pa shpjeguar shumë, mund të them se të jesh gazetare në kohë të paqes është e vështirë, por gjatë kohës së luftës, është edhe më e vështirë. Sidomos për shkak të mënyrës se si i mbledh dhe i trajton informatat. Natyrisht, dallon nëse je gazetare në Paris, Beograd apo Prishtinë. Kështu që, unë mendoj se ajo është gërshetim i të gjitha këtyre. Dhe, ajo është, gjithashtu, simbol i pushtetit të katërt”, ka thënë Bojer.

Sheshet e xhirimeve për realizimin e filmit “Unë dhe Milosheviqi” do të jenë në Prishtinë, Shkup, Prizren, Gjakovë dhe në disa pjesë të Francës dhe në Hagë të Holandës.

Regjisori francez Nicolas Duvar, në një konferencë për media në Prishtinë, ka folur për këtë projekt kinematografik.

“Skenari më është dukur shumë i mirë. Për aspektin human dhe pikëvështrimin më është dukur i përshtatshëm për ekran. Dua të bashkëpunoj me Arbenin dhe për mua kjo është punë ekipore. Mendoj se jemi njerëz të talentuar për ta bërë këtë film dhe mendoj që do të jetë aventurë e bukur që do ta bëjmë së bashku. Janë dy shtete: Franca dhe Kosova. Kam zbuluar njerëz dhe një shtet që s'e kam njohur më parë, sepse unë kam qenë shumë i ri kur kanë ndodhur disa gjëra këtu”, ka thënë Duvar.

Premiera e filmit “Unë dhe Milosheviqi” pritet të jepet në vjeshtë të këtij viti.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme