Kori e Orkestra zbërthejnë dramën muzikore që kulmoi me “Requiem”

Kori e Orkestra zbërthejnë dramën muzikore që kulmoi me “Requiem”

Fjolla Hajrizaj 12 mars 2019 13:01

Prishtinë, 12 mars – Në skenën e ngushtë të Sallës së Kuqe, rreth 100 pjesëtarë të Korit e të Orkestrës së Filarmonisë së Kosovës kanë qenë në harmoni me të shtatë veprat që kanë interpretuar, dy nga të cilave të kompozitorëve të Kosovës. Nën urdhrat e dirigjentit spanjoll, Fernando Briones, kanë sjellë një rrëfim të larmishëm muzikor.

Pjesa e parë e mbrëmjes ka nisur “A capella” me veprën e Dan Forrest “Good Night, Dear Heart”, që cilësohet ndër veprat më të dashura të autorit kushtuar vdekjes së një fëmije në Etiopi, të cilin vëllai dhe kunata e Forrest qenë bërë gati ta birësojnë, emocion që u shpërfaq përmes tingujve të ngadaltë dhe melankolikë. Në veprën e dytë “Ao pasar por camarinas” e kompozitorit Julio Dominguez, Korit iu bashkua sopranoja Kaltrina Miftari përderisa me “Tyukus, Tyukus” dinamika ka ndërruar. Disa nga fjalët e veprës kanë qenë aq të shpejta, të tilla që zor shqiptohen pa u ngatërruar, por Kori qe në elementin e vet dhe kjo pjesë kaloi pavërejtshëm. Me mesazhe të fuqishme ka ardhur edhe vepra e muzikantit amerikan Huddie W. Ledbetter “Bring me little Water”. Këto dy vepra qenë dukshëm më dinamike e që prej anëtarëve të Korit kërkohej edhe mbajtja e ritmit me duar, përderisa “Allelluia”, e Jake Runestad nëpërmjet një fjale vjen në tonalitete të ndryshme.

Rrugëtimi deri këtu i ka hapur rrugë dy veprave të kompozitorëve vendorë. Ajo “Icare Ubi Es”, e Rafet Rudit, njëherësh udhëheqës i Korit të Filarmonisë së Kosovës, ka sjellë në skenë mexosopranon e njohur shqiptare Vikena Kamenica, e cila ka qenë mysafire e këtij koncerti bashkë me dirigjentin Briones. Shoqëruar në piano Merita Rexha-Tërshana e Misbah Kaçamaku, Patris Berisha në timpan, Lulzim Lushtaku në kontrabas dhe Meriton Zajmi në perkusione,

“Requiem” e Kristë Lekajt, ka qenë vepra me të cilën është përmbyllur koncerti. Është interpretuar premierë. Sopranoja Shkurte Hykaj dhe alti Besë Krasniqi, i janë bashkuar Korit për veprën e cila vitin e kaluar ishte shpërblyer nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit si vepra më e mirë vokalo-instrumentale dhe muzikore-skenike.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme