Mexosopranoja Kamenica interpretoi në koncertin e Filarmonisë së Kosovës

Mexosopranoja Kamenica interpretoi në koncertin e Filarmonisë së Kosovës

11 March 2019 22:21

“Icare, Ubi Es?”, vepra dramatike që simbilizon trishtimin, revoltën, dhembjen dhe vajtimin e babait për humbjen e të birit, u jetësua nëpërmjet zërit të mexosopranos së njohur shqiptare, Vikena Kamenica.

Vepra e kompozuar nga Rafet Rudi në vitin 1987, u interpretua në bashkëpunim me Korin e orkestrën e Filarmonisë së Kosovës në koncertin e së dielës mbrëma.

Ky koncert u realizua nën udhëheqjen e dirigjentit spanjoll Fernando Briones dhe solli vepra korale e orkestrale nga kompozitorë të huaj e shqiptarë.

Për Vikena Kamenicën, interpretimi i veprës së Rudit ishte eksperiencë e veçantë.

Vikena Kamenica interpretoi për herë të parë e shoqëruar nga Kori i Filarmonisë së Kosovës dhe Merita Rexha Tërshana e Misbah Kaçamaku në piano. Ajo thotë se ky koncert i ka hapur rrugë bashkëpunimeve tjera, raporton “Express” i KTV-së.

“Icarus, ubi es?” është kompozuar në vitin 1987 dhe sipas autorit, kjo vepër e paraqet edhe një realitet të Kosovës.

Për dirigjentin spanjoll, ky koncert shënoi bashkëpunimin e tretë me Filarmoninë e Kosovës.

“Kjo është hera e tretë që po perfomoj me Orkestrën e Filarmonisë së Kosovës, ndërsa me korin për herë të parë. Për mua është gjithmonë kënaqësi të performoj në Prishtinë. Kori i Filarmonisë është fantastik, plot talent dhe energji. Gjatë 10 ditëve prova, kemi punuar shumë për koncerti e sotëm”, tha Briones.

Mes veprave të shumta që sollën solistët, ishte edhe “Requiem” (Rekuiemi) për kor dhe orkestër, kompozuar nga Kristë Lekaj, me solistë soprano Shkurte Hykaj dhe Besë Krasniqi në alt.

Koncerti i përbashkët i Korit dhe Orkestrës së Filarmonisë së Kosovës, u prit mirë nga audienca që mbushi plot Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme