Kulturë

Akademia Suedeze sivjet do të ndajë dy çmime “Nobel” për letërsi

Londër, 6 mars – Dy çmime “Nobel” për letërsi do të jepen këtë vit për të kompensuar mungesën e vitit 2018, kur nuk u nda fare, pasi që Akademia Suedeze u përplas me skandal. Për çmimet e sivjetshme u njoftua të martën.

“Nobeli” i vitit të kaluar për letërsi nuk u nda për herë të parë që nga viti 1949, pasi Akademia Suedeze, institucioni që përzgjedh fituesit, u godit me një skandal seksual të pahijshëm, ku bashkëshorti i një anëtareje u burgos për dhunim. Pas një takimi të martën Fondacioni Nobel, i cili realizon vullnetin e Alfred Nobelit, njoftoi për "hapat që Akademia Suedeze ka marrë dhe synon të marrë në mënyrë që të krijojë mundësi të mira për rivendosjen e besimit" dhe që laureatët për të dy vjetët, 2018 dhe 2019, do të shpallen këtë vjeshtë, shkruan sot Koha Ditore.

Ndryshimi më i rëndësishëm i ndarjes së Çmimit është emërimi i pesë anëtarëve të pavarur dhe të jashtëm, të cilët do të ndihmojnë Akademinë Suedeze për të zgjedhur laureatët "për vitet e ardhshme". Se si përzgjidhet fituesi ka qenë prej kohësh një sekret. Ajo që dihet është se rreth 200 nominime shqyrtohen nga Akademia në shkurt, pastaj në maj përgatitet lista e ngushtë me pesë autorë që studiohen gjatë verës. Arkivat e detajuara për arsyetimin e jurisë hapen 50 vjet pas ngjarjes.

Sekretari i përhershëm i Akademisë Suedeze, Anders Olsson, njoftoi shtyrjen e Çmimit në mars të vitit të kaluar, duke thënë se organizata duhet të përqendrohet në “rikuperimin e besimit të publikut” për shkak të trajtimit të një serie akuzash për sulmet seksuale të bëra kundër Jean-Claude Arnault, bashkëshorti i anëtares Katarina Frostenson. Arnault u dënua më pas për përdhunim dhe nisi vuajtjen e dënimit.

Një seri dorëheqjesh përfshiu Akademinë e më pas u kërkuan 12 anëtarë për të zgjedhur dhe shpallur fituesin.

Pas skandalit Fondacioni Nobel kritikoi Akademinë për “kultivimin e një kulture të mbyllur për një periudhë të gjatë kohore”.

Por të martën Fondacioni vlerësoi Akademinë në një deklaratë, duke thënë se zërat e jashtëm “do të shtojnë perspektiva të reja të vlefshme" për jurinë.

Akademia ka në konsideratë gjithashtu një afat kohor për anëtarësimin dhe mënyrën se si i trajton largimet. Dhe ndoshta më e rëndësishmja: "Akademia gjithashtu nuk përfshin asnjë anëtar që është subjekt i konfliktit të interesit apo hetimeve penale".

"Megjithëse do të duhej kohë për të rivendosur plotësisht besimin... parakushtet për këtë tani janë të mira", thuhet në deklaratën e Fondacionit duke shtuar: “Duke pasur parasysh reformat që janë zbatuar dhe planifikuar, Akademia Suedeze ka mundësinë ta shmangë të kaluarën e para një viti, por gjithashtu të bëhet një organizatë më funksionale në të ardhmen”.

Çmimi, sipas vullnetit të Alfred Nobelit, i jepet autorit që ka shkruar "veprën më të shquar në një drejtim ideal". Laureatët e letërsisë pos medaljes marrin edhe shpërblimin prej 9 milionë krunash suedeze (rreth 850 mijë euro). Shkrimtari britanik Kazuo Ishiguro ishte laureati i fundit, në vitin 2017.

Vitin e kaluar autorit Guadeloupean Maryse Condé iu dha një "Nobel alternativ", çmimi i Akademisë së Re, që e plotësoi boshllëkun e lënë nga anulimi i çmimit zyrtar/ The Guardian.