Haradinaj e quan Idriz Ajetin gardian i një gjuhe të sulmuar

Haradinaj e quan Idriz Ajetin gardian i një gjuhe të sulmuar

01 March 2019 13:47

Në Institutin Albanologjik është mbajtur Akademi Përkujtimore kushtuar akademikut Idriz Ajet.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj mori sot pjesë dhe foli në akademinë përkujtimore kushtuar akademikut Idriz Ajeti.

Me këtë rast ai tha se profesor Ajeti gjatë tërë gjysmës së dytë të shekullit të kaluar ishte shenjë identifikuese e gjuhës shqipe në botë, krahas profesor Eqrem Çabejt.

“ Profesor Idriz Ajeti ishte roje i një gjuhe të sulmuar dhe ndaluar, por që ruajtja e saj i mbajti gjallë shqiptarët dhe i riktheu ata në histori", tha kryeministri Haradinaj.

Për veprën shkencore të akademik Idriz Ajetit, folën studiuesit Begzad Baliu dhe Jonuz Fetahu, derisa të pranishmit në emër të familjes Ajeti i përshëndeti Astrit Ajeti.

Jemi bashkuar sot për të shprehur respektin për veprën madhore të mësuesit të të gjithë mësuesve të shqipes në Kosovë, akademikut Idriz Ajeti, tha në fillim kryeministri, dhe vazhdoi:

Fati i rrugëtimit jetësor të Profesor Ajetit ishte identik me atë të popullit të tij të shtypur nën tri Jugosllavi dhe nëse çdo tregim ka një fund të gëzuar, kjo vlen për Idriz Ajetin, ai e priti gjallë çlirimin e Kosovës dhe krijimin e Republikës së Kosovës, që ishte kthyer në ëndërr të shumë brezave.

Profesor Ajeti gjatë tërë gjysmës së dytë të shekullit të kaluar ishte shenjë identifikuese e gjuhës shqipe në botë, krahas profesor Eqrem Çabejt.

Ideja e tij sublime ishte: Një gjuhë e kodifikueme për një popull unik dhe një kulturë antike, por e integruar.

Kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve dhe themelues i institucionit për mësimin e gjuhës shqipe për të huajt, që sot e njohim si Seminari për Gjuhën, Kulturën dhe Historinë e shqiptarëve duke e vendosur Prishtinën në hartën e dijes botërore, si Kryeqytet kulturor të shqiptarëve.

Profesor Idriz Ajeti ishte roje i një gjuhe të sulmuar dhe ndaluar, por që ruajtja e saj i mbajti gjallë shqiptarët dhe i riktheu ata në histori.

Doajen i shkencës së Albanistikës, aktivist i mbrojtjes së Lirive dhe të Drejtave të Njeriut në Kosovë gjatë viteve ’90, deputet i zgjedhur dhe Kryetar i Kuvendit të Kosovës, më 1998, Idriz Ajeti jetoi gjatë dhe denjësisht, një shekull në shërbim të gjuhës, historisë dhe të drejtës shqiptare.

Si komb i gjuhës, sot, ne shqiptarët e kemi zënë ritmin e kohës, dhe po ecim si vetvetja, përkrah popujve të lirë. Të ngjashëm në dallime, por që na bashkojnë vlerat euroatlantike.

Me Pavarësinë e Kosovës të gjithë shqiptarët janë shpërblye për tragjeditë e shkaktuara me shekuj dhe sot ata janë më afër se kurrë njëri- tjetrit. Të lirë në tokën e tyre e të lidhur në një trung familjar përmes gjuhës shqipe, për pasurimin e të cilës shkriu gati një shekull orë pune Idriz Ajeti.

Me punën e tij monumentale, Idriz Ajeti i ka ngritur vetës përmendore të përjetshme kudo ku flitet shqipja.

Begzat Baliu, profesor nga Universiteti i Prishtinës si dhe bashkëpunëtor i Ajetit i tha Haradinajt se po të ishte profesor Idrizi nuk do ta duronte fjalën gardian.

“Kryeministër po të ishte profesor Idrizi nuk do ta duronte fjalën gardian. Ndarjen nga jeta e tij po e përdorin si shkas për të veçuar disa nga veprat e tij. Profesor Idriz Ajeti përfaqësoi denjësisht arritjet edhe pas dekadave të shkaktuara viteve të fundit”, tha Baliu.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme