Kulturë

“Origjinaliteti” shumëngjyrësh i Visar Mulliqit i jep kuptim abstraksionit

Prishtinë 21 shkurt – Përballja me “Origjinalitetin” e piktorit Visar Mulliqi, pikë së pari është një takim me ngjyrat e ndezura dhe figuracionet abstrakte. Në ekspozitën e 16-të të tij, piktori Mulliqi sintetizon traditën e pikturës abstrakte, duke aplikuar në mënyrë indirekte edhe imazhet që ia kishte zënë syri, duke vozitur me makinë kudo nëpër Kosovë.

Me një gamë të gjerë ngjyrash, formash dhe përmasash pikturat e Mulliqit mbushën përplot sallën dhe muret. Por nuk mjafton vetëm një hapësirë.

Ekspozita u hap të mërkurën mbrëma fillimisht në Galerinë e Ministrisë së Kulturës për ta zhvendosur publikun edhe në hollin e ish-pallatit të “Rilindjes”.

Dhurata Ramosaj-Shala, drejtoreshë e Galerisë së Ministrisë së Kulturës dhe njëherësh drejtuese e këtij projekti, ka thënë se shpreson që “Origjinaliteti” do të jetë një fillim i mbarë për programin e institucionit.

Ajo ka theksuar se kjo është hera e parë që një ekspozitë shfaqet në dy vende, por për shkak të mungesës së një hapësire më të lartë në Galeri u është dashur ta gjejnë zgjidhjen tek holli i ish-pallatit të “Rilindjes”, ku zënë vend veprat në formate të mëdha.

Për Mulliqin ka thënë se për shijen e saj ai është artist i jashtëzakonshëm dhe origjinal, ndër më të mirët në nivel vendi.

“Arti i tij karakterizohet nga hulumtimet e shumta paraprake, abstraksionit të lirë dhe ekspresiv, emrat konkretë dhe ndërhyrjet racionalizuese nga jeta reale”, shkruhet ndër të tjera në katalogun voluminoz të ekspozitës “Origjinaliteti”.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")