“Rrugëtimi” i hyjneshave të Arjeta Miftarit ndalet në kryeqytetin shqiptar

“Rrugëtimi” i hyjneshave të Arjeta Miftarit ndalet në kryeqytetin shqiptar

Berat Bajrami Berat Bajrami 20 February 2019 22:59

Pas Prishtinës, Parisit e Berlinit ikona e trashëgimisë kulturore të Kosovës “Hyjnesha në Fron” është ndalur sonte në Tiranë për të qëndruar atje për dy javët e ardhshme.

Dhjetë skulptura të Arjeta Miftarit janë prezantuar sonte para publikut shqiptar në Muzeun Historik Kombëtar përmes ekspozitës së titulluar “Rrugëtimi”, e për këtë emër artistja nga Peja thotë se ka një arsye pse e ka vendosur.

“Arsyeja që kam vendos me e titulluar ‘Rrugëtimi’ është për shkak se kjo ekspozitë ka rrugëtuar gjithandej nëpër botë, për t’u kthyer në kryeqytetin shqiptar, në Tiranë. Këtij qyteti i kam shumë borxh sepse dy herë më kanë shpallur skulptore të vitit, më 2014 dhe më 2018, prandaj e kam pa shumë të arsyeshme që këto vepra të ekspozohen para audiencës shqiptare”, është shprehur Miftari.

Përkundër që “Hyjnesha” është prezantuar edhe në ekspozitat e më pashme, Miftari thotë se këto në Tiranë janë vepra të reja që janë punuar në rezinë dhe të patinuara në bronz.

“Këto nuk janë hyjneshat e njëjta me ekspozitat që i kam mbajt në Paris e Berlin, pasi ato tashmë janë shitë. Kësaj radhe kam punuar punë të reja, të cilat nuk janë ekspozuar më herët”, tha Miftari.

Për dallim nga ekspozitat e më hershme në Tiranë janë shfaqur 5 “Hyjnesha” shtatzënë, për të simbolizuar pjellorinë e gruas.

“Edhe këtë herë kam punuar hyjneshat, të cilat i kam sjellë në forma të ndryshme. Në katër apo pesë prej tyre kam paraqitur nënën shtatzënë, pra pjellshmërinë e gruas. Meqë i përkas kësaj gjinie dhe ndoshta në të ardhmen e kam dëshirën e një nëne, e ndoshta edhe do të bëhem”, ka thënë Miftari.

Përpos këtyre dhjetë skulpturave para publikut është bërë edhe një prezantim i procesit të punës së Miftarit, përmes fotografive dhe një dokumentari.

Ajo thotë se përmes 45 fotografive ka dashur që para publikut në Tiranë ta paraqesë procesin e punës së krijimit të veprave, nga fillimi e deri te ai final, që sipas saj është një proces interesant.

“Është edhe një dokumentar që shfaqet për punën time, i cili është realizuar në vitin e fundit, në të cilin përmblidhet e gjithë puna ime, pra është njëlloj biografie, se kush jam e nga vijë. E ky dokumentar është i gjatë rreth 13 minuta. Gjithashtu janë vendosur 15 fotografi të printuara në bezë të hyjneshave që kanë bërë rrugëtimin në Prishtinë, Paris e Berlin”, shprehet ajo.

Ajo ka zbuluar gjithashtu se është përzgjedhë për një ekspozitë që do të mbahet në prill në New York.

“Unë jam përzgjedh në një muze të artit bashkëkohor në Amerikë, ku do të realizohet një ekspozitë digjitale. E aty jam përzgjedh me dy skulptura të ‘Hyjneshës në Fron’. Ajo çka po më bën të ndihem shumë mirë është se ‘Hyjnesha në Fron’ po arrin me u prezantuar edhe në Amerikë, përveç vendeve që është ekspozuar mundohem ta çoj sa më lart këtë simbol e këtë figurë që për neve është shumë e rëndësishme”, ka deklaruar Miftari.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme