Kulturë

Qeveria fsheh procedurën deri te vendimi për financimin e “Lojë jete”

Prishtinë, 20 shkurt – Qeveria e Kosovës është duke e mbajtur të fshehtë procesin e hyrjes në rend dite të propozimit për përkrahjen e projektit kinematografik “Lojë jete”. Edhe një javë pasi ka marrë vendim që këtë film ta mbështesë me 180 mijë euro, ky institucion nuk ka pranuar të flasë përtej asaj që është publike nëpërmjet incizimit të mbledhjes së kabinetit të Qeverisë të martën e kaluar dhe në vendimin e publikuar ditë më parë.

Në mbledhjen e 12 shkurtit qe vendosur që mjetet për “Lojë jete”, të prezantuar si bashkëproduksion kosovaro-amerikan, me skenar dhe regji të Luan Kryeziut, t’i japë nga fondi rezervë, ani pse shteti ka institucion të veçantë që vlerëson dhe përkrah projektet filmike.

Pavarësisht që në mbledhje është paraqitur si propozim i Ministrisë së Kulturës, i pari i këtij institucioni, Kujtim Gashi, e mohon kategorikisht këtë. Të martën ministri Gashi e ka mohuar edhe atë se zëvendësja e tij Leonora Rexhepi-Bunjaku e ka përkrahur propozimin për ndarje mjetesh në emër të MKRS-së. Zëvendësministrja Rexhepi-Bunjaku ka një javë që nuk përgjigjet.

Gazeta ka kërkuar sqarime nga Zyra e kryeministrit sa i përket asaj se kush e ka sponsorizuar propozimvendimin, dhe me kërkesë të cilit institucion ka hyrë në rend dite në mbledhjen e Qeverisë. Por Zyra e kryeministrit nuk u është përgjigjur pyetjeve, të cilat i janë adresuar sërish edhe të martën.

“Ju lutem shikojeni mbledhjen e Qeverisë dhe merrni informatat e sakta se si ka rrjedhur i gjithë procesi. Në anën tjetër, vendimet e Qeverisë, posa të përfundojnë procedurat e brendshme, dalin edhe ne ueb-faqen e Zyrës së kryeministrit”, shkruhet në përgjigje.

Vendimi tashmë ka dalë në ueb-faqen e Kryeministrisë. Aty shkruhet se ky institucion ka nxjerrë vendim për ndarjen e mjeteve financiare duke u bazuar në nenin 4 të Rregullores për fushat e përgjegjësisë administrative të Zyrës së kryeministrit dhe ministrive. Mjetet do të merren nga kategoria e shpenzimeve rezervë. Sipas vendimit është shqyrtuar edhe kërkesa e paraqitur më 17 tetor 2018. Por nuk sqarohet se kujt i është bërë kërkesa.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")