Kulturë

Kulla e Adem Zajmit midis neglizhencës dhe thirrjes për ta mbrojtur

Prishtinë, 14 shkurt – Përdhesja dhe dy kate të tjera e bëjnë atë kullë tipike të Rajonit të Dukagjinit. Përgjatë historisë së saj ka pasur funksione të ndryshme. Por aktualisht kulla e gurtë që gjendet afër Parkut të madh në Pejë ka nisur të demolohet. Shteti nuk e mbron si aset të trashëgimisë kulturore. Profesoresha e solokëndimit në Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë, Besa Berberi, e ka ngritur në publik faktin e mospërfshirjes së kësaj kulle në mesin e aseteve të trashëgimisë kulturore. Dikur kulla ishte pronë e familjes Zajmi, përkatësisht e Adem Zajmit. Më pas ishte shfrytëzuar nga ish-ndërmarrja për përpunimin e duhanit në Pejë.

Ajo ka kërkuar ndihmë për nënshkrimin e një shkrese me të cilën do t’i drejtohej Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Pejë, që kulla të mbrohet si aset i trashëgimisë kulturore. Ka marrë goxha përkrahje publike. Pjesa ballore e kullës ka filluar të shembet.

Por ka një telashe që kjo kullë s’u mor nën mbrojtje. Lidhet me emrin e Adem Zajmit që historia e njeh si atentatorin e Haxhi Zekës, i shpallur hero kombëtar. Ai qe ndër organizatorët e Lidhjes së Prizrenit dhe përkrahës i krahut autonomist të saj, drejtues i degës së Pejës të Lidhjes, ku u shqua si prijës ushtarak me kontribut në Mbrojtjen e Plavës dhe Gucisë. U vra më 21 shkurt të vitit 1902.

Sipas Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Pejë, më 2002 është bërë një inventarizimi i ndërtesës. Por vazhdimisht QRKT-ja ka hezituar që ta propozojë ndërtesën për përfshirje në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme pikërisht për shkak të ish-pronarit të saj.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")