Kulturë

Alije Vokshi, piktorja e guximit dhe zërit të gruas

Është piktorja që i dha zë e fytyrë gruaje pikturës në Kosovë. Ky ka qenë njëri prej vlerësimeve që i është bërë të martën artistes Alije Vokshi, në Galerinë Kombëtare të Arteve në Kosovë, në diskutimin e fundit në kuadër të ekspozitës “Burrneshat” në të ashtuquajturin “Programi i Debatit dhe i Edukimit”.

Ani pse nuk ishte e pranishme në diskutim, për shkak të gjendjes së saj shëndetësore, ish-studentë të saj kanë folur me admirim për Vokshin (74), shqiptarja e parë e Kosovës e diplomuar në pikturë.

Nipi i saj, Lorik Sylejmani, po ashtu artist, rrëfeu për figurën e saj brenda familjes dhe mënyrës se si pasionin për artin e përçonte edhe ndër ta.

“Portretet, aktet dhe peizazhi janë pjesët e saj të parapëlqyera, megjithatë tezja krijonte art edhe kroki, me ngjyra me bollëk”, ka rrëfyer Sylejmani.

Në vitin 1966 ajo filloi studimet në Akademinë e Arteve të Bukura në Beograd në klasën e maestros Milo Milunoviq, e dy vjet më vonë po aty edhe në klasën e profesorit Nedelko Gvozdenoviq ku u shqua si studente me nota maksimale.

Sylejmani ka kujtuar se si ajo gjithmonë kishte pikturuar personat e dashur ndër ta edhe atë të vjehrrës së saj, në veprën e vitit 1972 të pagëzuar “Ina” ku paraqitet një grua e moshuar në dukje e qetë dhe e dashur që bart një shami të zezë në kokë. Kjo është vepra e Alije Vokshit që zë vend edhe në ekspozitën “Burrneshat”.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")