Kulturë

Qendra Kinematografike do të sjellë në Prishtinë pesë ekspertë të filmit

Prishtinë, 13 shkurt – Pesë ekspertë të montazhit filmik do të vijnë në Kosovë gjatë kësaj vere. Ata do të qëndrojnë për disa ditë dhe do të punojnë me ekipet e disa filmave kosovarë të cilat kanë përfunduar draftin e parë të montimit të filmave.

Një gjë e tillë është bërë e mundur nga dita e martë kur në shtandin e Kosovës në festivalin ndërkombëtar të filmit “Berlinale” në Berlin është nënshkruar marrëveshja e bashkëpunimit në mes të Qendrës Kinematografike të Kosovës dhe “Tatino Films”. Sipas njoftimit të QKK-së, kryesuesja e Këshillit Drejtues të këtij institucioni, Ilire Vinca, ishte edhe iniciatorja e kësaj marrëveshjeje.

“Jam e lumtur që ekspertët e ‘First Cut Lab’ do të jenë me ne, që të ofrojnë njohuritë më të avancuara në ngritjen e nivelit kinematografik”, citohet të ketë thënë ajo. Qëllimi i kësaj punëtorie është të mundësohet arritja e potencialit artistik të filmave dhe njëkohësisht rritja e vlerës së filmave në tregun ndërkombëtar dhe prezenca e tyre në festivale të rëndësishme. ”Jemi tejet të gëzuar për këtë bashkëpunim të ri i cili është i pari për ne në Ballkan. Ne jemi të gatshëm ta përcjellim kinemanë kosovare dhe filmat e saj në procesin e finalizimit dhe fillimit të rrugëtimit të tyre ndërkombëtar”, citohet të ketë thënë udhëheqësi i punëtorisë “First Cut Lab”, Mathieu Darras.

Drejtori i QKK-së, Arben Zharku, i ka thënë gazetës se bëhet fjalë për njërin prej laboratorëve më inovativë në Evropë për postproduksione. Ai ka thënë se në Kosovë ende nuk ka montazhierë profesionistë për montimin e filmave.

“Këta i dërgojnë pesë ekspertë që janë ndër emrat më nominentë për Evropë. Ata vijnë për disa ditë dhe i shikojnë filmat që janë në fazën e montazhit dhe në mënyrë intensive punojnë dhe japin këshilla e rekomandime se si do të ishte më së miri versioni final i filmit”, ka thënë Zharku.

“Tatino Films”me seli në Lyon të Francës është kompani e specializuar në sektorin e produksioneve filmike/Sh.M.