Promovohen dy libra të autorit Ismail Kastrati Foto: Ksp

Promovohen dy libra të autorit Ismail Kastrati

12 February 2019 15:46

“Kohë ëndërrimesh” dhe “Kohë zhgënjimesh” janë dy veprat e autorit Ismail Kastrati që sot janë promovuar dhe të cilat trajtojnë jetën dhe veprimtarinë e autorit.

Me këtë rast, publicisti Mehmet Hajrizi, tha se të dy librat trajtojnë jetën dhe veprimtarinë e autorit që nga fëmijëria e deri te mbarimi i luftës më 1999.

“Libri ‘Kohë ëndërrimesh’ trajton jetën dhe veprimtarinë e autorit që nga fëmijëria e deri te mbarimi i luftës çlirimtare në Kosovë më 1999. Të tre këta libra bëjnë një trilogji për jetën e autorit dhe për familjen e tij të madhe me shtrirjen në një hark kohor të gjatë tre vjetësh... Ai ka publikuar edhe shumë shkrime publicistike, shkencore, në fushë të ekonomisë, politikës dhe të karakterit shoqëror. Intelektual ekonomist me përgatitje superiore profesionale, Ismajli kreu shumë punë prej eksperti, por ishte edhe drejtues institucionesh të ndryshme, veprimtar i pavarësisë dhe i dënuar politik nga regjimi pushtues. Ky angazhim shumëdimensional i tij i jep librit përmbajtje të pasur dhe kolorit”, tha ai, raporton ksp.

Ai u shpreh se gjuha e librit është e pastër, e rrjedhshme dhe e qartë që sipas tij i përshtatet karakterit të veprës.

Për këto dy libra ka folur edhe redaktori Sylejman Demaku, sipas të cilit në to trajtohen ngjarje të mëdha të vendit.

“Librat e Ismail Kastratit ‘Kohë ëndërrimesh’ dhe ‘Kohë zhgënjimesh’ kanë vlerë të çmuar kombëtare, dokumentare, historike. Janë dëshmi kohësh, pasqyrë e ngjarjeve të shumta mbi gjysmëshekullore. Ne hyjmë në jetë kur ka ndodhur shumë gjëra prej qindra mijërash vjetësh dhe është e rëndësishme të mësojmë se çfarë ka ndodhur përpara lindjes sonë. Kjo gjë na ndihmon ta kuptojmë se pse ndodhin kaq shumë ngjarje të reja. Librat që po përurojmë sot pikërisht këtë do të mund ta mësojnë të gjithë brezat që do të vijnë”, u shpreh ai.

Demaku u shpreh se librat do të jenë proces rikujtimi duke ofruar mësime të ndryshme që sipas tij do të jenë të nevojshme për të gjithë brezat.

Ndërsa, kryetari i Shoqatës së të Burgosurve Politik, Hydajet Hyseni, tha se të dy librat e shkrimtarit Ismail Kastratit përveç vlerave, kanë edhe porosi.

“Ka sjellë vepra me vlerë që e pasurojnë edhe me vlera, por edhe me cilësi e profile të munguara në botimet tona. Ismail Kastrati në botimet që po i përurojmë sot vazhdon shkrimin që e ka botuar vite më parë, në anën tjetër është vazhdimësi e tri vëllimeve që përfaqësojnë tri kohë që kanë veçori të tyre, por që funksionojnë pastaj në një koherencë si një tërësi, përveç vlerave kanë edhe porosi në to”, tha ai.

Ndërkaq, autori i dy librave Ismail Kastrati, tha se kishte nisur të shkruante vetëm një libër, por më pastaj kishte vendosur që t’i ndante në dy për shkak të ngjarjeve.

“Kohë ëndërrimesh se të gjithë gjenerata jonë ka ëndërruar, ka pasur ideale për një kohë tjetër, sepse kemi qenë të shtypur dhe të robëruar. Qëndresa, aktivitetet, lëvizjet ndikojnë që më në fund edhe ne t’i mobilizojmë forcat dhe në krye me UÇK-në ne të çlirohemi”, u shpreh ai.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme