74 vjet nga dalja e numrit të parë të “Rilindjes”, 17 nga ndërprerja e saj

74 vjet nga dalja e numrit të parë të “Rilindjes”, 17 nga ndërprerja e saj

12 shkurt 2019 09:22

Në këtë 12 shkurt 2019 gazeta tradicionale e Kosovës 'Rilindja' do të festonte 74 vjetorin e daljes së numrit të parë. Por, në këtë vit jubilar, të 20 vjetorit të çlirimit e 11 vjetorit të shpalljes së pavarësisë, mbushen 17 vjet pa këtë gazetë, kur (më 21 shkurt 2002), u bë dëbimi prej shtëpisë së saj. Që atëherë, sipas kryeredaktorit të fundit të ksaj gazete, Behlul Jasharit, janë nxjerrë rreth 40 numra protestues, të jashtëzakonshëm, të kohëpaskohshëm të "Rilindjes".

Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindjes nisi të dalë para 74 viteve në 12 shkurt 1945 në Prizren, në frymën e Konferencës së Bujanit - të Rezolutës për vetëvendosje e të drejtë bashkimi me Shqipërinë, me angazhimin e intelektualëve më të shquar të asaj kohe, me shkronja plumbi që u sollën me arka nga Tirana. Si në filmin shqiptar “Udha e Shkronjave”...

“T'i përvishemi punës...”, ishte kryeartikulli në ballinë i numrit të parë të gazetës 'Rilindja', që mbanë datën 12 fruer (shkurt) 1945 e që kishte çmimin edhe 1 lek, e që sipas shkrimeve Kosovën e përcaktonte si një vend të veçantë.

Numri i parë i gazetës Rilindja u shtyp në një tirazh prej më se 3.000 ekzemplarësh dhe u shpërnda në gjithë Kosovën. Në fillimet e saj, në rrethanat e një shkalle të lartë të analfabetizmit të asaj kohe në Kosovë, gazeta 'Rilindja' u përdor edhe për mësimin e shkronjave shqipe, shkrimit e leximit.

Më 11 qershor 1950, Rilindja (që rëndom dilte një here në javë) njoftonte se, “tash e mbas del dy herë në javë, t’ejtën dhe të shtunen”.

Më pastaj, gazeta Rilindja shpeshtoi daljet dhe që nga fundi i nëntorit të vitit 1958 filloi të botohet përditë.

E përditshmja Rilindja me fizionomi të re, me ngjyrën e kaltër, që iu shtua faqeve bardhezi, filloi të dalë edhe të dielave nga 17 prilli i vitit 1966.

doli deri më 7 gusht të vitit 1990, kur u ndërpre forcërisht nga milicia e atëhershme serbe, që të vazhdojë të dalë me emra të tjerë herë si "Zëri", herë "Shkëndija", "Fjala", "BAT", "Pionieri", deri sa nuk u ndal në emrin "Bujku", që të rikthente emrin e parë pak javë para fillimit të bombardimeve të NATO-s, më 1999.

Ajo ishte një regjistruese e zhvillimeve gjatë dekadave që doli. Digjitalizimi i saj do të ishte ndihmë për studiuesit e historisë së Kosovës të viteve pas Luftës së Dytë Botërore deri në shpërbërjen e Jugosllavisë.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme