Nisin në TKK provat e dramës “Bryma e vdekjes”

Nisin në TKK provat e dramës “Bryma e vdekjes”

05 February 2019 19:13

Njëzet vjetori i eksodit të shqiptarëve, të cilët ishin të detyruar nga aparati ushtarak serb për të udhëtuar drejt kampeve të refugjatëve në fshatin Bllacë të Maqedonisë, do të shënohet përmes dramës “Bryma e vdekjes”, provat e së cilës tashmë kanë nisur në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Tragjeditë që i kishte përjetuar populli i Kosovës në marsin dhe prillin e vitit '99 do të argumentohen simbolikisht përmes shfaqjes nën regji të Burbuqe Berishës, transmeton emisioni Express në KTV.

Kjo dramë që përmban rrëfime emocionale të shkruar nga dramaturgu Milazim Krasniqi, konsiderohet se do t'ia rikujtojë publikut vendas në formë estetike një përvojë tragjike që ishte prodhuar gjatë dy dekadave të kaluar.

Tetëmbëdhjetë aktorë janë angazhuar për realizimin e kësaj shfaqjeje, e cila është në fazën e leximit dhe që ishte miratuar nga Këshilli Drejtues për të qenë pjesë e repertorit të këtij viti në TKK.

Premiera e dramës “Bryma e vdekjes” është përcaktuar të prezantohet më pesë prill në Teatrin Kombëtar.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme