Kulturë

Aktorët kërkojnë kontrata të rregullta, jo të paguhen nga subvencionet

Descriptive Text

Trupat rezidentë të teatrove rajonalë të vendit, në bazë të ligjit të teatrove, i formësuar nga Kuvendi i Kosovës, janë lënë në mëshirë të menaxhimit direkt të drejtorive për kulturë.

Aktorët dhe projektet teatrore, funksionojnë në bazë të subvencioneve, ndërsa punonjësit në këto institucione kulturore në vazhdimësi kanë probleme rreth pagave, transmeton emisioni Express në KTV.

Përfaqësuesit e teatrove të Kosovës, ka kohë që kanë krijuar një ekip punues për hartimin e projektligjit dhe plotësim-ndryshimin e Ligjit të Teatrit.

Trupat rezidentë të teatrove komunale kryejnë funksione pa pasur kontrata të rregullta.

Përfaqësuesit e tyre kanë kërkuar që të jenë pjesë e buxhetit për vitin 2019, në mënyrë që të paguhen rregullisht.

Ministria e Kulturës, nga buxheti i saj për këtë vit, ka ndarë një milion e gjysmë euro për funksionimin e shtatë teatrove rajonalë.

Aktorët, përmes ndryshimit të Ligjit për Teatrot, kanë bërë kërkesë të kenë kontrata të rregullta, e jo të paguhen nëpërmjet subvencioneve.