Kulturë

Milionat e sallës koncertale në rrezik

Descriptive Text

Ndërtimi i sallës koncertale në kryeqytet, ka qenë një ndër temat më të diskutuara kulturore gjatë vitit të kaluar.

Por, një ndër problemet më të mëdha që ka shoqëruar këtë projekt, ka qenë dhe ende është përcaktimi i vendit për ndërtim, transmeton emisioni Express në KTV.

Ndërtimi i sallës koncertale do të financohet nga Bashkimi Evropian, ndërsa buxheti i ndarë për këtë projekt është 15.4 milionë euro.

Së bashku me këto fonde, BE-ja ka vënë edhe parakushte, ndër të cilat është edhe përcaktimi i lokacionit në qendër të Prishtinës, gjë që ka vonuar nisjen e ndërtimit.

Komuna kishte marrë vendim që objekti i ish-Gërmisë në qendër të Prishtinës të shërbente si hapësirë për ndërtimin e sallës koncertale, ndërsa më vonë u konsiderua si mundësi edhe hapësira përballë katedrales Nënë Tereza, afër ish-Radio Prishtinës.

Sipas Komunës së Prishtinës, ish-Shtëpia e Mallrave duhet të bëhet objekt i shfrytëzueshëm, gjë që mund të ndodhë vetëm nëse ky objekt nuk vendoset nën mbrojtje të përhershme si trashëgimi kulturore.

BE-ja tashmë ka dhënë vërejtje për vonesat e institucioneve të Kosovës rreth këtij projekti dhe kjo rrezikon humbjen e fondeve të ndara.

Ky projekt është nën autorizim të plotë të Komunës së Prishtinës. Ish-drejtori i Kulturës, Yll Rugova, ka thënë se nuk e kupton insistimin e Komunës për ish-Gërminë si lokacion përfundimtar, ndërsa e sheh si vend të përshtatshëm hapësirën te kampusi i Universitetit të Prishtinës.

Nga MKRS-ja kanë thënë së do të vazhdojnë ta përkrahin Komunën e Prishtinës, por sipas tyre, duhet të konsiderohen edhe alternativat të tjera, në mënyrë që të mos cenohet ligji për trashëgimi kulturore.

Dakordimi për ish-Gërminë si lokacion për ndërtimin e Sallës Koncertale ka rënë pasi kjo ndërtesë u fut përkohësisht nën mbrojtje si objekt i trashëgimisë kulturore.

Sipas zyrës së BE-së në Kosovë, tani çdo gjë është në duart e autoriteteve të Kosovës.

“Ky projekt është në fazat e para të identifikimit. Lokacioni i mundshëm duhet të identifikohet nga Komuna e Prishtinës dhe të vlerësohet në lidhje me karakteristikat teknike (si sipërfaqja dhe hapësira, gjeologjia, gjeoteknikia, hidraulika, themeli, shërbimet publike) dhe aspektet ligjore (si pronësia, disponueshmëria). Ne kemi kërkuar që Komuna e Prishtinës të paraqesë një propozim të një lokacioni që përmbush kriteret e mësipërme dhe i përshtatet qëllimit të synuar të objektit. Topi tani është në duart e Autoriteteve të Kosovës”, thotë Zyra e BE-së në Kosovë.

Përderisa përzgjedhja e lokacionit për ndërtimin e Sallës Koncertale është bërë problem për institucionet tona, koncertet dhe organizimet muzikore po vazhdojnë të mbahen në Sallën e Kuqe.

Drejtori i Filarmonisë së Kosovës, Baki Jashai ka thënë që kjo hapësirë nuk e përmbush asnjë kusht për sallë koncertale.

Në koncertin e fundit të Filarmonisë së Kosovës, që u mbajt në mbrëmjen e së dielës, ky problem u vu në pah edhe nga muzikantë të huaj.

Otto Sauter, muzikant i njohur ndërkombëtarisht, u shpreh shumë i kënaqur me bashkëpunimin me Orkestrën e Filarmonisë, ndërsa e quajti jo të përshtatshme Sallën e Kuqe si sallë koncertale.

Deri në një gjuhë të përbashkët ndërmjet institucioneve të Kosovës, mbetet të shihet se sa do të jetë durimi i BE-së, në pritje për t’i dhënë Kosovës 15,4 milionë, për sallën e kërkuar prej dekadave nga artistët.