Kulturë

Festa për Mozartin sjell magjinë e kryeveprave në interpretim mjeshtëror

Prishtinë, 29 janar − Me koncert madhështor, sikurse veprat e Wolfgang Amadeus Mozartit, Filarmonia e Kosovës ka shënuar ditëlindjen e tij të 263-të. Të dielën e 27 janarit, Orkestrës i është bashkuar edhe trumbetisti gjerman me famë botërore Otto Sauter, i cili gjatë karrierës së tij ka performuar para Princit Charles, para Papës Gjon Palit II në Vatikan, e me orkestra simfonike të njohura botërore. Ai ka qenë një frymëzim shtesë që Filarmonia të japë maksimumin nën “urdhrat” e dirigjentit të njohur polak Dariusz Mikulski.

Paralajmërimi për koncertin në nivel ka qenë që në meloditë e para në Sallën e Kuqe të mbushur përplot. Ndryshe nga herët e tjera, heshtja nuk i parapriu paraqitjes së orkestrës, por përshëndetja “mirëmbrëma”e thënë në shqip nga dirigjenti Mikulski.

Derisa meloditë kanë zëvendësuar njëra-tjetrën, lëvizjet e duarve dhe gjuha e trupit të dirigjentit Dariusz Mikulski u kanë ngjarë lëvizjeve me shkop magjik në rrugëtim të sinkronizuar e në harmoni. Këmisha e dirigjentit Mikulski valëvitej nga ajri ashtu siç lëvizte edhe çdo gjymtyrë e tij. Në këtë atmosferë u luajt uvertura e një prej operave më të njohura të Mozartit, “Fyellit magjik”.

Dirigjenti Mikulski kohë pas kohe i është drejtuar shkurt publikut. Mes të tjerash, ka thënë se nata kur është mbajtur koncerti është e rëndësishme në ditarin e secilit muzikant në botë. Befasia e radhës ka qenë “Koncerti për korno dhe orkestër nr. 2 në Es-Dur”. Mikulski nuk qëndroi i vetëm si dirigjent, por duke filluar nga prapaskena ka filluar të luajë me orkestrën.

“Më mirë të luaj diçka në kornë sesa të kërcej para orkestrës”, ka thënë dirigjenti duke shtuar se më e çmueshme në jetë është të japësh sesa të marrësh.

Përveç ditëlindjes së Mozartit, u festua edhe premiera e veprës “L’Angelica Farfalla” e kompozitorit Enjott Schneider, me të cilën vepër u paraqit maestroja Otto Sauter.

Më i emocionuari pas koncertit ka qenë dirigjenti Dariusz Mikulski, i cili ka thënë se nuk gjen fjalë për të përshkruar lumturinë e tij, që për ditëlindjen e kompozitorit që e ka frymëzim u gjend në Prishtinë dhe ia festoi bashkë me Filarmoninë/Fjolla Hajrizaj.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")