Kulturë

Mbi 900 projekte kulturore presin Ministrinë, rezultatet pas një muaji

Mbi 900 projekte kulturore janë dorëzuar në Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sportit. Organizata joqeveritare e individë ia kanë mësyrë që për projektet e tyre për këtë vit të mbështeten edhe te buxheti i shtetit.

MKRS-ja synon që mbi një milion euro t’i ndajë për ato që njihen si organizime të pavarura kulturore. Por do të kalojnë më shumë se një muaj që të merret vesh se cilat projekte janë përkrahur. Sipas ftesës publike, që është hapur në fund të dhjetorit dhe është mbyllur më 22 janar, për projektet kulturore-artistike për organizatat joqeveritare dhe individë për vitin 2019, projekt-idetë duket të jenë me karakter profesional, të cilat me kualitetin e tyre formal dhe përmbajtjesor i respektojnë standardet krijuese evropiane dhe botërore.

Feim Hoxha është ushtrues detyre i drejtorit të Departamentit të Kulturës në Ministrinë e Kulturës. Ai ka thënë se janë mbi 900 kërkesa sa i përket mbështetjes së projekteve kulturore e artistike. Këtë vit del që MKRS-ja të ketë pranuar një numër rekord të kërkesave. Vitin e kaluar ishin 200 më pak. Institucioni më i lartë kulturor në vend ende nuk i ka themeluar komisionet për vlerësimin e projekteve.

“Edhe këtë vit do të kemi gjashtë anëtarë të jashtëm, të cilët do të jenë pjesë e gjashtë komisioneve që përbëhen edhe nga zyrtarët tonë të sektorëve që mbulon konkursi”, ka thënë Hoxha. Sipas tij, duhet të paktën një muaj punë për ta bërë vlerësimin.

“Është një numër i madh kërkesash dhe të paktën një muaj duhet punuar në mënyrë që të dalim me rezultate”, ka thënë ai.

Çdo vit organizatorët e ngjarjeve kulturore kanë kërkuar që rezultatet e vlerësimit të dalin sa më herët pasi në bazë të mbështetjes së Ministrisë së Kulturës bëjnë edhe planet për aktivitetet e tyre.

MKRS-ja financon aktivitetet e pavarura, ka të njëjtin buxhet sikurse për vitin që shkoi. Kanë qenë dhe janë fiks 1 milion e 67 mijë e 851 euro.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")