Kulturë

Deçanin e vizitoi pasardhësja e hebreut të shpëtuar gjatë Luftës së Dytë Botërore

E tërë bota kujton 27 janarin, dita kur u çlirua kampi famëkeq Aushvic, vendi ku mijëra hebrenj u shfarosën me forma më të tmerrshme që njohu shekulli 20.

E në këtë ditë, Kosova kujtoi kontributin e familjeve që sakrifikuan sigurinë e tyre, duke strehuar hebrenjtë e rrezikuar në tërë Evropën, të cilët iknin nga përndjekja, raporton “Express” i KTV-së.

Regjioni i Deçanit ishte një nga pjesët që shpëtoi më së shumti hebrenj.

Për këtë, në këtë ditë tani komunën e Decanit e vizitoi Rachel Levy Drummer pasardhësja e njërit nga hebrenjtë që u stresua dhe mbijetoi në familjen e Arsllan Rezniqit.

“Nuk është vetëm për familjet tona, historia mes dy familjeve tona është mesazh për gjithë njerëzimin. Ne mësuan këtu se çdo gjë sillet rreth njerëzve. Njerëzit mund të krijojnë, njerëzit mund të shkatërrojnë. Ne mësuam po ashtu se kur njerëzit janë shpirtmirë, pason e mira”, ka thënë Rachel Levy Drummer, mbesa e Dr. Haim Abravanel.

Nikoqiri i kësaj ngjarjeje, kryetari i Deçanit Bashkim Ramosaj, tha se dyert e familjeve të kësaj pjese të Kosovës kanë qenë të hapura gjithnjë për mysafir dhe njerëzit që kanë hall.

Në këtë ceremoni i pranishëm ishte edhe ambasadori gjerman në Kosovë Christian Heldt, i cili tha se njerëzit duhet të marrin mësim nga historia.

“Historia kurrë nuk përsëritet në të njëjtën mënyrë, andaj duhet të jemi shumë të vëmendshëm dhe të jemi gati për të marrë përgjegjësi kurdo që është nevoja. Nëse ky është një mësim prej asaj që ndodhi 70 vjet më parë ose më shumë, atëherë çdo gjë që ndodhi, të gjitha sakrificat nuk kanë shkuar kot”, Christian Heldt, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë.

Ndërkohë, në emër të familjes shpëtimtare të Arsllan Rezniqit, foli stërnipi i tij Lekë Rezniqi, i cili tha se për familjet shpëtimtare kjo është një ditë e shënuar.

Në këtë ceremoni u shfaq edhe filmi dokumentar, i cili shpalos detaje nga historia e shpëtimit të doktor Haim Abravanel, dhe marrëdhëniet e pasardhësve të tij dhe të shpëtimtarëve.