Restaurimi i Xhamisë së Bajraklisë në dorë të agjencisë turke

Restaurimi i Xhamisë së Bajraklisë në dorë të agjencisë turke

Fisnik Minci 24 January 2019 08:33

Prizren, 24 janar – Kërkesa e Këshillit të Bashkësisë Islame për restaurimin e Xhamisë së Gazi Mehmed Pashës apo Xhamisë së Bajraklisë në Prizren është miratuar nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore.

Punimet për restaurimin e këtij monumenti të trashëgimisë kulturore parashihet të fillojnë në pranverë të këtij viti, nëse deri atëherë përmbyllen të gjitha procedurat e prokurimit.

Shpenzimet e realizimit të këtij projekti do t’i mbulojë Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA). Kjo e fundit, në qershor të vitit të kaluar, kishte nënshkruar memorandumin e bashkëpunimit me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Bashkësinë Islame të Kosovës për restaurimin e kësaj xhamie. Ndërhyrjet e fundit restauruese në këtë monument ishin bërë çerekshekulli më parë.

Ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së QRTK-së në Prizren, Fitore Bytyqi ka konfirmuar miratimin e kërkesës për restaurimin e Xhamisë së Bajraklisë, duke theksuar se sipas projektit të paraqitur “bëhet fjalë për restaurimin e përgjithshëm të kompleksit të Xhamisë së Gazi Mehmed Pashës”.

Ajo ka shtuar se në projekt nuk është prezantuar parallogaria, pasi që ky projekt do të financohet nga TIKA dhe Qeveria e Turqisë, që kanë standarde të unisuara të çmimeve për çdo pozicion si njësi bazë.

“Të gjitha punimet e projektit dhe restaurimit do të mbulohen nga TIKA. Ndërkaq QRTK-ja ka kërkuar që gjatë punëve restauruese të zbatohen të gjitha dispozitat e paraqitura në projekt dhe projekti të realizohet nën mbikëqyrjen e QRTK-së në Prizren”, është shprehur Bytyqi.

Sekretari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Prizren, Orhan Bislimaj, ka theksuar se Xhamia e Gazi Mehmed Pashës apo Bajraklisë është njëra prej xhamive kryesore të Prizrenit, si në kohën e Perandorisë Osmane ashtu edhe sot.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme