Kulturë

“E bukura fillon me ne” si thirrje për mundësi të barabarta

Imazhe shumëngjyrëshe, nga sfilita e modës ku persona me nevoja të veçanta kanë pozuar me veshje të kreatorëve vendorë, janë bërë bashkë në ekspozitën “E bukura fillon me ne”, e hapur të hënën në Qendrën Kulturore-Informative të BE-së në Prishtinë. Ekspozita, nëpërmjet bukurisë së imazheve, vjen edhe si thirrje kundër diskriminimit e për të bërë më shumë për këtë kategori.

Ekspozitën e ka shpallur të hapur ambasadorja e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova. Ka thënë se ashtu si edhe titulli i ekspozitës, “çdokush është i bukur në mënyrën e vet”. Ka shtuar se kur të gjithë ta kuptojë këtë, nuk do të ketë më vend për diskriminim.

“Personat me nevoja të veçanta duhet ta kenë vëmendjen e shoqërisë”, ka thënë Apostolova.

Pos fotografive, ekspozita “E bukura fillon me ne” sjell edhe video nga sfilata me të njëjtin titull, e cila ishte hapur në dhjetor të vitit të kaluar.

E pranishme në ekspozitë ka qenë edhe ish-presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga. Ajo e ka përgëzuar nismën e kësaj iniciative që është si vazhdimësi e sfilatës. Jahjaga ka thënë për “Kohën Ditore” se ekspozita do të kontribuojë në ngritjen e vetëdijes, mobilizimin dhe solidarizimin e mëtutjeshëm ndaj kësaj kategorie shoqërore/Fjolla Hajrizaj.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")