Kulturë

Veprat e Flaka Halitit prezantohen në panairin e artit gjerman

Në një prej panaireve më të vjetra të artit që për çdo vit tubon në një qytet gjerman vepra të artistëve nga e gjithë bota do të prezantohet edhe puna e Flaka Halitit.

Galeria “LambdaLambdaLambda” e kryeqytetit do të prezantojë veprat e artistes kosovare në “Art Cologne”, që mbahet në Këln të Gjermanisë, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Art Cologne” është panair i artit për galeri ndërkombëtare të artit, që prezantojnë artin e shekujve të njëzetë e të njëzetenjëtë në Cologne të Gjermanisë. Është një ndër panairet më të vjetra të këtij lloji, që kishte nisur me vetëm 18 galeri, në vitin 1967.

Sot, rreth 200 galeri bashkohen për çdo verë në qytetin gjerman, për t’i prezantuar veprat e më se dy mijë artistëve, duke u nisur nga ata më të rinjtë e deri tek artistët me nam. Edicioni i sivjetmë i panairit hapet më 26 të këtij muaji dhe zgjat deri më datë 29 dhe, mes tjerësh, do të prezantojë edhe veprat e artistes kosovare, e cila, më 2015, e përfaqësoi Kosovën në Bienalen e Artit në Venecia.

“Galeria jonë merr pjesë dhe prezanton veprat e Flaka Halitit para kuratorëve e koleksionuesve”, ka thënë Katharina Schendl, arkitekte, e cila me historianen e artit Isabella Ritter e kanë themeluar galerinë “Lambda...” më 2015 dhe deri më tani kanë përfaqësuar artin që zhvillohet në Prishtinë në disa panaire të ndryshme në botë. Për t’u bërë pjesë e këtij panairi, galeria me seli në Prishtinë ka aplikuar nëpërmjet një propozimi në të cilin i ka përfshirë veprat që ka dashur t’i prezantojë aty. Pastaj, një juri ka vlerësuar të gjitha për të bërë përzgjedhjen.

“Të gjitha panairet kërkojnë që galeritë të prezantojnë veprat e artistëve me të cilët bashkëpunojnë – në rastin tonë të Flaka Halitit – te një audiencë ndërkombëtare e interesuar për art. Aty ka kuratorë, koleksionues”, ka shpjeguar Schendl.

“Kështu që, ajo që bëjmë ne në një panair arti është të shesim vepra dhe gjithashtu të prezantojmë veprat para kuratorëve, në mënyrë që ata të mundë të bashkëpunojnë më vonë me artistët dhe mbase edhe t’i ftojnë për ndonjë ekspozitë”, ka shtuar ajo.

“LambdaLambdaLambda” do të shfaqë disa vepra të Halitit, mes së cilave edhe “I see your face. Do you see a face”, të realizuar më 2014... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.